Një autobus, 50 njerëz dhe një destinacion: Ballkani Perëndimor

Nga: Dallandyshe Xhaferri

“Tani e kam më të lehtë të krijoj miqësi, të thyej akujt me të panjohurit,të komunikoj në anglisht, një gjuhë shumë ndryshe nga imja (gjuha shqipe). Tani e ndjej se jam shumë e gatshme për të vizituar e vetme vende të ndryshme dhe të jem pjesë e ekperiencave të reja me një mendje më të hapur.”

Pesëdhjetë  të rinj nga Ballkani u bënë pjesë e “Volunteer Caravan”, (Karvanit të vullnetarëve) si pjesë e RYCO WB6 (Regional Youth Cooperation Office). Vullnetarë, Ambasadorë të Rinj Europianë dhe gazetarë nga Shqipëria, Kosova, Serbia, Mali i Zi,  Maqedonia e Veriut dhe Bosnje Hercegovina udhëtuan për një javë përgjatë Ballkanit.

Më shumë se sa një udhëtim përgjatë gadishullit tonë, ky karvan bëri të mundur atë që paraardhësit tanë nuk mundën ta realizonin prej dekadash: Të parit nga afër, të prekurit dhe të kuptuarit historinë e njëri-tjetrit. 

Rrugëtimi i përbashkët 1-javor nisi në Podgoricë, ku të rinjtë u njohën me njëri-tjetrin dhe mësuan rregullin më të rëndësishëm të karvanit: “Pranohen vetëm energjitë pozitive”. Gjatë 7 ditëve të rinjtë ballkanas eksploruan 7 shtete, shkëmbyen kulturën e vendeve të tyre si dhe u njohën me muzikën e njëri-tjetrit.

“Është shumë interesante të ndaj të njëjtat ambiente me 50 njerëz që nuk i kam takuar më parë dhe që flasin një gjuhë ndryshe nga imja. Ata vijnë nga një kulturë tjetër, kanë të tjera tradita, tjetër mënyrë jetese dhe kjo më ka bërë që gjatë kësaj kohe të dal nga ‘zona ime komforte’ dhe të shoqërohem me të tjerët, të cilët kanë energji shumë pozitive”,-tha Olta Shehu, një pjesëmarrëse nga Tirana.

Gjatë intervistës për web-in “ElbasaniOn”, Olta u shpreh se ky udhëtim e ndihmoi atë të rritej në shumë dimensione të tjera.

“Tani e kam më të lehtë të krijoj miqësi, të thyej akujt me të panjohurit,të komunikoj në anglisht, një gjuhë shumë ndryshe nga imja (gjuha shqipe). Tani e ndjej se jam shumë e gatshme për të vizituar e vetme vende të ndryshme dhe të jem pjesë e ekperiencave të reja, me një mendje më të hapur,”- u shpreh Olta.

Gjithashtu, gjatë intervistës sonë ajo u shpreh se ky rrugëtim e ndihmoi që të krijojë miqësi të reja me të huaj, të nxiste akoma dhe më tepër dashurinë e saj për të udhëtuar botën si the të krijonte kujtime të reja të paharrueshme.

Jo vetëm shkëmbime idesh, por ky udhëtim u dha 50 të rinjve të gjenin njësërë tematikash për të diskutura, siç është dhe ajo e gjuhëve përkatëse.

“Nuk kisha asnjë njohuri për gjuhën boshnjake, por mësova të them fjalët, si: ‘Përshëndetje’, ‘Faleminderit’ dhe disa shprehje të tjera. Mësova t’i shqiptoja miqve të mi të rinj“ ”skočiti s mosta”, ndëkohë që ecnim mbi urën e Mostarit (Bosnje) dhe qeshnim sëbashku. Nuk kisha dëgjuar asnjëherë muzikë boshnjake, por në autobus vendosëm të dëgjonim muzikë nga të gjitha vendet dhe aty, miqtë e mi, Enes Pucurica dhe Aldin Hasicz më treguan rreth këngëtarëve  më të njohur boshnjakë dhe rreth muzikës së tyre. Tashmë unë kam një të preferuar, që mbeti në mendjen time falë këtij rrugëtimi të mrekullueshëm është Favorito-Hurricane. Asnjëherë nuk e kam ditur që mund të krijoj marrëdhënie kaq  të mirë me personat përreth meje brenda një kohe shumë të shkurtër. Duhet ta pranoj që kjo eksperiencë më ka bërë të ndihem shumë e lumtur”,-përfundoi ajo.

Elienta Culaj, një nga vullnetaret e Kosovës që iu bashkuan karvanit, tregon se për të eksperienca në e veçantë gjatë udhëtimit ishte vizitimi i vendeve të ndryshme të Ballkanit dhe mësimi i fakteve të reja rreth historisë sonë të përbashkët. 

“Pjesa më intertesante e këtij karvani për mua ishte vizitimi i Bosnje Hercegovinës dhe historia e Mostarit. Ishte shumë bukur të mësoje sado pak për historinë e atij qyteti dhe të shihje se si ishte zhvilluar pas luftrave,”-tha Elienta.

Gjithashtu, për të është mjaft interesant krijimi i platformës mediatike “Hajde” dhe mundësitë që kjo ‘Platformë Ballkanike’ u jep studentëve të gazetarisë.

Ky udhëtim i përbashkët i dha rinisë ballkanase mundësinë që politika nuk ia ofroi më parë: njohjen me njëri-tjetrin dhe të kuptuarit se ndryshimet mes popujve shpesh janë një mundësi e mirë për të nisur miqësi të reja.

Shkrimi dhe fotografitë janë në pronësi të RYCO.