23-vjeçari shqiptar është akuzuar nga prokuroria pasi dyshohet si autor i vrasjes së Alkis Kampanos.
Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë në Selanik, Greqi.
23-vjeçari akuzohet për “vrasje”, “tentativë për vrasje në bashkëpunim”, “sulm me dispozita rënduese të ligjit të sportit”, “armëmbajtje dhe përdorim të armëve me mjete të rrezikshme”.
Autoritetet greke kanë identifikuar bashkëpunëtorët e 23-vjeçarit, të cilët akuzohen se vranë me thika 19-vjeçarin grek që ishte fans i Arisit të Selanikut.
Ai u paraqit në gjykatë me fytyrën e mbuluar me kapuçin e xhupit, ndërsa i gjithë kalimi u shoqërua me fyerje dhe sharje nga të pranishmit.
Mediat greke bëjnë me dije se shqiptari i arrestuar ishte pjesë e disa grupeve ekstremiste të djathta në Greqi, të cilët konfliktoheshin vazhdimisht me grupe të tjera tifozësh duke përdorur edhe thike dhe armë të tjera të ftohta gjatë sulmeve.
Policia dyshon se grupi i huliganëve ku bën pjesë shqiptari janë një fraksion “neo nazist” i tifozerisë së PAOK-ut dhe kanë dalë jashtë kontrollit edhe të grupeve zyrtare të tifozëve.
Ata njihen si “Bicepsat e Veriut” dhe kanë sulmuar edhe më herët grupe të tjera tifozësh kundërhtarë të PAOK-ut. Sipas mediave greke, grupi në fjalë nuk njeh as tifozët zyrtarë të PAOK-it të quajtur “Hyrja 4”, duke u akuzuar këta të fundit për tradhti.
Ngjarja më e bujshme e grupit ku bën pjesë shqiptari është rrahja në publik e ish-kryebashkiakut të Selanikut, Giannis Boutaris.
