PVN (Projekte Vullnetare Ndërkombëtare) realizoni gjatë vitim që lamë pas trajnime rreth së Drejtës Sociale.
Në trajnimin, i cili zgjati 5 ditë (24-29 Nëntor), pjesëmarrës ishin dhe të rinjë nga qyteti Elbasanit. Përfshirja e të rinjëve nga qytete të ndryshme të vendit, ndihmon shoqërinë dhe trajnuesit e kësaj OJF-je të arrijnë synimin: Minimizimi i diskriminimit mes grupeve të ndryshme të shoqërisë.
Emanuela Sulmina, 17-vjeçarja nga Elbasani që studion në gjimnazin “Konstandin Kristoforidhi”, gjatë intervistës për ElbasaniON është shprehur se trajnimi nuk ishte vetëm edukues, por edhe argëtues për shkak të mënyrës se si informacioni iu përçua të rinjëve.
“Përveç faktit që ky trajnim qe informues dhe edukues. Metodat e edukimit joformal e bënë edhe më argëtues. Ditët që kalova në këtë trajnim qenë më të bukurat të nëntorit”,- ka thënë ajo teksa ka theksuar se trajnimi ishte i vlefshëm pasi aty të rinjtë u njohën gjerësisht me konceptin e së Drejtës në mënyrë që anëtarët e një shoqërie të jetojnë në harmoni, pavarësisht ndryshimeve mes tyre.
“Informacionet e marra do të më shërbejnë shumë në të ardhmen pasi më bëjnë si fillim të reflektoj më shumë në veprimet e mia dhe më japin aksesin të bëhem një qytetare e denjë, duke ia shpërndarë edhe bashkëmoshatrëve të mi”,- shtoi Sulmina.
Për bashkëmoshataren e saj, Oljana Haskaj, trajnimi 5 ditor ishte një mënyrë e mirë për të qenë më pranë bashkëmoshatarëve të saj, për të shkëmbyer idetë.
“Ky trajnim më ndihmoi të kisha një përkufizim më të qartë për sa i përket koncepteve kryesore që u trajtuan, siç ishin Drejtësia Sociale, genocid,barazi,integrim etj. Gjatë atyre ditëve u njoha me qëndrimet e ndryshme të bashkëmoshatarëve të mi. Gjithashtu, pasurova fjalorin por dhe forcova qëndrimin tim përkundrejt temave të caktuara”,- është shprehur ajo.
Një shoqëri që respekton të drejtat e vetvetes, është një shoqëri që i hap udhë së ardhmes, zhvillimit, çka mbetet misioni i këtyre trajnimeve.
