Përse Bullgaria po bëhet pengesa kryesore e rrugëtimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut drejt BE-së.

Një mosmarrëveshje historike e ndezur midis dy vendeve fqinje në Ballkan është duke u bërë një çështje e nxehtë për Brukselin, sepse negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë u shtynë përshkak të vetos të vendosur nga shteti Bullgar në konferencën e parë ndërqeveritare më 18 nëntor të vitit 2021 Bullgaria vuri veton në konferencën e parë ndërqeveritare dhe shtyu integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, duke i kërkuar asaj të bëjë lëshime të mëdha në lidhje me identitetin e saj, gjuhën dhe të fshijë një pjesë të historisë së saj.

Sipas historiografisë zyrtare bullgare banorët me origjinë sllave të Maqedonisë së Veriut janë bullgarë dhe flasin bullgarisht – por u manipuluan gjatë regjimit komunist në Jugosllavinë e Titos (1945-91). Një identitet dhe gjuhë e re “maqedonase” u imponuan artificialisht. Ky pretendim nuk është i ri, është pozicioni zyrtar i Bullgarisë që nga vitet 1950. Por si anëtare e BE-së Bullgaria tani ka një avantazh ndaj kandidatit të BE-së Maqedonisë së Veriut, avantazh që Sofia padyshim që dëshiron të shfrytëzojë. Bullgaria mbetet e prerë dhe ka bllokuar Maqedoninë e Veriut të fillojë negociatat me BE-në, sepse nuk pranon se identiteti dhe gjuha maqedonase kanë rrënjë bullgare. Ministrja e Jashtme bullgare, Ekaterina Zaharieva, ka deklaruar se   Bullgaria është e gatshme të mbajë barrën e bllokimit, por përgjegjësia do të bjerë edhe mbi politikanët në Maqedoninë e Veriut.

Në vështirësi vendoset edhe rrugëtimi i Shqipërisë në BE sepse ky rrugëtim është shoqëruar gjithmonë me atë të Maqedonisë së Veriut. Shumica dërrmuese e vendeve anëtare të BE mbështesin hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut së bashku dhe jo vetëm të një shteti. Në 18 Nëntor Bullgaria deklaroi se nuk ishte ende gati për të hequr bllokadën ndaj Shkupit, në vend të kësaj sugjeroi ndarjen e proçeseve të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, në mënyrë që Shqipëria të paktën të mund të ecë përpara.

“Në vitin 2019 të dy vendet ishin në pozicione të kundërta, Maqedonia e Veriut mund të lëvizte përpara ndërsa Shqipëria jo sepse nuk kishte mbështetjen e disa shteteve anëtare dhe më pas pyetja ishte nëse do të ndahej Maqedonia e Veriut nga Shqipëria. Konsideroj se është në interesin e të dyja vendeve që të qëndrojnë së bashku, sepse krijojnë një energji të fortë duke i dhënë dinamik rajonit, një komponent rajonal tërë këtij procesi që ky nuk është vetëm një proces demokratik, por edhe një proces politik”, ka deklaruar Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osman. 

Bullgaria paraqiti tre kushtet kryesore që t’i japë dritën jeshile negociatave: “E para është respektimi i formulës gjuhësore nga viti 1999, një udhërrëfyes për zbatimin e marrëveshjes së vitit 2017 dhe një tekst shumë i qartë se nuk do të ketë pretendime për pakicën maqedonase në Bullgari. Këto kushte nuk janë përmbushur ende-sipas Sofias zyrtare.

Publiku në Maqedoninë e Veriut ndihet i inatosur nga vërejtja dyfytyrëshe e BE-së se çështja mes të dyja vendeve duhet të zgjidhet, jo vetëm sepse sjell ndër mend atë çfarë ka ndodhur me Greqinë. Sikundër është e qartë për të gjithë, BE-ja nuk ka kurrfarë qëllimi të përzihet në punët e pista të Ballkanit. Sidoqoftë, ky distancim nga frustrimet e Ballkanit vë në pyetje legjitimitetin e BE-së, meqë u hap udhë komplekseve të superioritetit dhe të inferioritetit të ushqyera nga anëtarët e saj për ta kushtëzuar zgjerimin. Maqedonasit jetuan me konfliktin e ngritur nga grekët për më se 20 vjet vetëm sepse Greqia pati mundësinë ta shtynte argumentin e vet për dekada si anëtare e BE-së. Këtë herë shtrohet pyetja: a ka Bullgaria mjaft fuqi për ta penguar procesin e zgjerimit pa e ngjallur tërbimin e Gjermanisë dhe të gjithë BE-së?

Pavarësisht çdo gjëje Maqedonia e Veriut ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar dialogun me Bullgarinë, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që po e mbajnë peng nisjen e bisedimeve të anëtarësimit midis Shkupit dhe Bashkimit Evropian, në mënyrë që të vazhdojë përpara me proçesin e integrimit si për vete edhe për Shqipërinë. Maqedonia e Veriut shpreson se në gjashtë muajt e parë të vitit 2022 mund të arrihet zgjidhje, bazuar në një plan të kryeministrit të ri bullgar, Kiril Petkov që dy vendet të formojnë grupe punuese për të biseduar edhe për çështjet si: ekonomia, infrastruktura, shëndetësia e çështje të tjera.

Ndërkohë Kryeministri Edi Rama deklaroi se nëse brenda 6 muajve të ardhshëm Bullgaria vazhdon të vendosë veton ndaj Maqedonisë së Veriut, Shqipëria do të kërkojë ndarjen me këtë shtet sa i takon rrugës për çeljen e negociatave për integrimin e vendit në BE.

“Jemi në një faze absurde të bllokimit të Maqedonisë nga Bullgaria. Kemi kërkuar një opinion nga qytetarët nëse ata do ta mbështesnin një qasje të re të politikës sonë të jashtme.

Dhe duket që viti I ri ka nisur mirë përsa i përket konfliktit 2 vjeçar sepse në datën 3 janar një nga liderët e koalicionit qeveritar në Bullgari, Slavi Trifunov, i partisë “Ka një popull të tillë” ka thënë se Sofia mund të heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut, nëse Shtetet e Bashkuara heqin vizat për shtetasit bullgarë. Ai heqjen e vetos e ka kushtëzuar edhe me kërkesën që Bullgaria të bëhet menjëherë anëtare e zonës Shengen. Përmbushja e këtyre dy kushteve nga SHBA-ja dhe BE-ja, si dhe përmbushja e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë nga Maqedonia, sipas Trifonovit, do të mjaftojnë që Bullgaria të lejojë Maqedoninë e Veriut të fillojë negociatat për anëtarësim në BE.

Marrja e presidencës franceze të BE-së është një tjetër lajm i mirë për negociatat pasi sipas një diplomati të BE-së, pritet angazhim për të zhbllokuar nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Pas zgjedhjeve të fundit dhe formimit të Qeverisë së re në Bullgari, diplomatët në BE janë optimistë se gjatë presidencës franceze do të mund të nisesen këto negociata.

Si dhe zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian në vazhdimësi kanë inkurajuar dy palët për arritjen e shpejtë të një marrëveshjeje që do të zhbllokonte proçesin  e integrimit evropian, por në të njëjtën kohë kanë kërkuar që Shkupi të vazhdojë me zbatimin e reformave të lidhura me integrimin. Ndërkohë, zëvendës-ndihmës Sekretari i Shtetit Amerikan për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar, në një mbledhje të nënkomisionit për Evropën dhe Euroazinë, ka thënë se administrata e presidentit amerikan, Joe Biden është e përkushtuar ndaj Ballkanit. Ai gjithashtu ëshë shprehur se vonesat në proçesin e integrimit do të dëmtonin shpresat e brezave të ardhshëm dhe do të krijonin hapësirë për ndikimin keqdashës nga vende si Rusia dhe Kina.

 

Përgatiti: Armela Toska