Lulzim Sulejmani është shqiptari nga Presheva, i cili pasi arriti të thyente xhamin e dritares dhe të dilte nga autobusi që u përfshi nga flakët në Bullgari, u shpëtoi jetën dhe 6 bashkatdhetarëve të tjerë.
Veprimi i të riut me kombësi shqiptare dhe shtetësi serbe pasi jeton në Luginën e Preshevës ka bërë jehonë në media në Beograd, që i kanë kushtuar hapësirë të veçantë.
Me germa kapitale, “Blic” shkruan “NJË HERO I VËRTETË”. “Një shtetas serb, edhe pse i plagosur, ndihmoi në evakuimin e shtatë pasagjerëve në një aksident të tmerrshëm në Bullgari” vijon më tej artikulli.
Autoritetet serbe i kanë uruar shërim të shpejtë, ndërsa ambasadori e ka vizituar në spital në Bullgari. “Shtetasi ynë Lulzim Sulejmani, vetë i plagosur në një aksident të tmerrshëm në afërsi të Sofjes, ka ndihmuar në evakuimin e pasagjerëve” shkruan ministria e Jashtme serbe.
Nga aksidenti tragjik humbën jetën 46 shqiptarë, mes tyre 11 janë fëmijë.
