1000 ushtarë të tjerë drejt Ukrainës/ Inteligjenca perëndimore: “Priten të bombardohen qytete të tjera”

1000 ushtarë rusë do të dërgohen gjatë javëve të ardhshme në Ukrainë. Ky lajm u bë i ditur nga CNN pas paralajmërimeve të një zyrtari të inteligjencës perëndimore, sipas të cilit priten të bombardohen qytete të tjera.

Zyrtari shtoi se SHBA-ja beson se ushtarët që kanë mbërritur në Ukrainë janë përballur me rezistencë nga ukrainasit dhe 200 prej tyre janë vrarë që nga fundi i shkurtit.

Ndërkohë, zyrtarët amerikanë dhe perëndimorë presin që Rusia të rrisë ritmin dhe forcën e goditjeve të saj në qendrat kryesore të popullsisë ukrainase, duke përfshirë kryeqytetin Kiev.

Autokolona ruse, e cila u nis drejt Kievit, prej disa ditësh ka mbetur e bllokuar.

“Ditët që do të vijnë ka të ngjarë të jenë më të këqija, me më shumë viktima, vuajtje dhe më shumë shkatërrime, pasi forcat e armatosura ruse do të vazhdojnë sulmet në të gjithë vendin”, tha të premten Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.