Deputetët demoratë dhe socialistë janë përballur gjatë inspektimit të inceneratorit të Elbasanit nga anëtarët e Komisionit Hetimor.
Të parët mbërritën anëtarët socialistë dhe pak minuta më vonë kanë shkuar edhe demokratët, të cilët i kërkuan llogari Ermonela Felajt se përse nuk i kishin pritur që të shkonin bashkë.
“A jemi edhe ne pjesë e komisionit? Tani ka ardhur PS të inspektojë inceneratorin apo çfarë? Vazhdoni me këtë arrogancë”, tha Boçi, ndërsa Felaj u shpreh se i pritën të vinin por demokratët nuk u paraqitën.
Deputetët e Komisionit Hetimor për Inceneratorët vendosën të bënin një inspektim në Inceneratorin e Elbasanit pas mbledhjes së sotme. Më parë mbërritën në Elbasan socialistët dhe disa minuta më vonë demokratët, gjë që është bërë shkak për debate mes tyre.
Pjesë nga debati:
Luçiano Boçi: A jemi edhe ne pjesë e komisionit?
Ermonela Felaj: Ju pritëm
Luçiano Boçi: Tani ka ardhur PS të inspektojë inceneratorin apo çfarë? Vazhdoni me këtë arrogancë.
Ermonela Felaj: Ka edhe një factor kohë dhe kjo që thua ti nuk ka kuptim.
Ndërhyn inxhinieri
Luçiano Boçi: Po prit e çun iher të sqarojmë pozicionet njeherë.
Ermonela Felaj: Po ne kemi një agjendë këtu dhe do ndjekim atë.
Luçiano Boçi: Duhej të vinim bashkë këtu.
Anila Denaj: Nuk kemi ardhur për debat këtu, se debatin e bëm atje.
Luçiano Boçi: Vazhdoni bëjëni reklamën ju, hajde Lefter flasim dhe në për ça gjëra…
Çfarë janë inceneratorët dhe pse u burgosi Lefter Koka?
Inceneratorët kanë qenë kryefjalë në dy vitet e fundit në Shqipëri, ndërsa ditën e sotme çështja u rikthye sërish pasi Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion arrestoi Lefter Kokën, ish-ministrin e Mjedisit si dhe shpalli në kërkim dy emra të tjerë të njohur që kanë në pronësi kompanitë,Klodian Zoto dhe Stela Gugallia
Aktualisht në Shqipëri janë tre inceneratorë, Tiranë, Elbasan dhe Fier. Opozita ka bërë akuza të forta për lidhje të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë në rang ministrash por edhe kryebashkiakësh me skemën e inceneratorëve që e cilëson vjedhje të hapur të milionave eurove. PD dhe LSI depozituan dy padi duke vendosur SPAK-un në lëvizje që ditën e sotme solli arrestimin e bujshëm.
Trajtimi i mbetjeve me djegie ose njohur ndryshe me incenerim është një metodë e njohur. Në Shqipëri impiantet u ndërtuan me fondet e buxhetit të shtetit. Djegia e materialeve të mbetjeve konverton mbeturinat në hi, gaz dhe nxehtësi. Energjia e gjeneruar nga djegia e plehrave edhe sipas kushteve të parashikuara në kontratat e inceneratorëve të miratuar në Shqipëri duhet të përdorej më pas për të gjeneruar energji elektrike.
