“Në kërkim të së Mirës”, libri që u drejtohet të rinjve/ Ermal Spahiu: “E mira duhet kërkuar dhe në skutat e fshehtësisë”

Nga: Dallandyshe Xhaferri

Ermal Spahiu është autori i ri, i cili sapo ka botuar librin e tij të parë të titulluar “Në kërkim të së Mirës”. 

Në një intervistë për ElbasaniON, Spahiu ka treguar se ky libër i dedikohet të gjithë të rinjve, në veçanti atyre që nuk e kanë  menduar asnjëherë të largohen nga Shqipëria.

“Libri i drejtohet lexuesve të moshave të reja, të rinjve që synojnë të nderojnë atdheun me përpjekjet e tyre. Në këtë libër ka dhe një surprizë për ta. Bëhet fjalë për një poezi që reflekton këmbënguljen time për të qëndruar në Shqipëri dhe për të mos e menduar largimin nga kjo tokë. Lexuesve u bashkangjiten dhe të rriturit të cilët duan të njihen me realitetin që duhet jetuar,”- ka thënë Spahiu

Sipas tij, njerëzit duhet të njohin të mirat, të vërtetat që i rrethojnë, madje duhet t’i kërkojnë dhe në skutat e fshehtësisë.

 “Mund të them se ka në brendësi mister sepse dhe vetë jeta jonë është një mister, i cili duhet zbuluar nga vetë ne. Ne jetojmë me qëllim për të njohur vlerën si një koncept të rëndësishëm të jetës dhe padyshim ky libër e gëzon një metaforë të tillë.”

Njeriu, familja dhe Zoti janë tri nga fjalë kyçet që ky libër zbërthen, duke i afruar akoma dhe më tepër lexuesit me “të mirat” që ka përreth.

“Në tërësinë e librit zbërthehen fjalët kyçe si: njeriu, familja, sfidat e jetës, toleranca, serioziteti dhe Zoti. Kam përmendur figurën e Krijuesit të Gjithësisë për të lënë të kuptohet se falë Tij i gëzojmë këto që posedojmë sot dhe se falë Tij kemi mundësinë t’i gjejmë ato nëpërmjet përpjekjes tonë. Padyshim që elementi ‘mirësi’ është më i rëndësishëm në jetën tonë, ndaj duhet të ndihemi falenderues në jetë që këto të mira kanë një Krijues, Zotin e Gjithësisë”,- ka shtuar autori.

Përsa i përket frymëzimit Ermali është shprehur se është vetë pena burim i tij, duke e lidhur këtë dhe me prirjen, shkollimin e tij për degën e gazetarisë.

“Frymëzimi im është vetë pena. Si një i ri që është i prirur të shkruajë nga profesioni i gazetarisë, edhe psikologjia merret pak a shumë me të njëjtin funksionalitet, vetëm se në gazetari, thelbi është informacioni dhe e vërteta, ndërsa në psikologji, njeriu dhe e vërteta e tij.”

 Unë këtë libër, në rradhë të parë ja dedikoj njeriut tim të dashur, i cili më 11 dhjetor të këtij viti kishte përvjetorin e tij të ndarjes nga jeta. Ka patur një ndikim të jashtëzakonshëm në jetën time dhe ikja e tij e dhimbshme më ka prekur shumë. Mësimet e këtij njeriu janë të gërshetuara në këtë botim, ndaj ai ka meritat më të rëndësishme për bërjen realitet të këtij libri. Gjithashtu dhe familja dhe miqtë e mi kanë një hapësirë të rëndësishme në këtë dedikim sepse ishin pikërisht ata që e mbështetën këtë iniciativë timen.

Mbështetja ime më e madhe  fillimisht është Zoti. Nëse i mbështetesh Atij, padyshim që do ta gjesh rrugën e duhur drejt suksesit dhe ndershmërisë morale. Ndonjë person i veçantë? Thuajse i kam përmendur të gjithë më sipër, pa dallim,”- e ka shtuar autori i ri.

Kush është Ermal Spahiu?

Ermal Spahiu është student i vitit të tretë të Gazetarisë në Kolegjin Universitar “Beder”.

Hobi i tij është frekuentimi i vazhdueshëm i librave me përmbajtje psikologjike dhe me doza të konsiderueshme motivimi, gjithashtu i pëlqen muzika dhe aktivitetet sportive.