Me një vendim të shkurtit të 2019-s, Qeveria krijoi Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar, nën varësinë e të cilës u krijuan katër drejtori rajonale, që shkrinë 12 drejtoritë që ekzistonin në 12 qarqet e vendit. Vendimi i Qeverisë krijoi përkatësisht Drejtorinë e Rajonale të Arsimit Parauniversitar të Durrësit, atë të Fierit, të Lezhës dhe të Korçës. Vetë këto drejtori kanë në varësi të tyre Zyrat Vendore të Arsimit Parauniversitar, që janë të shpërndara pranë bashkive.
Por, as ndarja e re administrative nuk ka zgjidhur problemet e vjetra të punësimeve në këtë sektor. Problematika del nga një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit në Drejtorinë Rajonale të Arsimit Parauniversitar të Durrësit, që është më e madhja në vend për nga numri i shkollave dhe nxënësve që ka.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur se stafi i kësaj drejtorie dhe 12 zyrave vendore të arsimit parauniversitar që ajo ka në juridiksion është pothuajse i gjithë i komanduar, duke shmangur procedurat konkurruese.
“Nga auditimi i ushtruar ndër të tjera rezultoi se, 98 për qind e stafit të DRAP dhe 12 ZVAP-ve nën juridiksionin e saj ishin të komanduar, pra pa procedura konkurimi, çka nuk siguron kompetencën e stafit për pozicionet në të cilat janë komanduar”, thotë KLSH.
Auditi ka gjetur parregullsi të shumta edhe në zgjedhjen e drejtorëve të shkollave.
“Në procedurat për përzgjedhjen dhe shpalljen fitues të drejtuesve të shkollave parauniversitare u konstatuan problematika të shumta, të cilat kanë cenuar vlefshmërinë e të gjithë procesit, të shkaktuar si rezultat i mosanalizimit nga DPAP dhe DRAP të zbatueshmërisë së kritereve që duhet të plotësojnë kandidatët për drejtor, trajtimit me dy standarde të kandidatëve për drejtor shkolle, planifikimit të dobët të zhvillimit të procedurave, kuadrit ligjor dhe rregullator të pa harmonizuar, etj”, thotë KLSH.
KLSh ka gjetur problematika edhe në hartimin dhe realizimin e buxhetit, si dhe në ngritjen e sistemeve efektive të kontrollit të brendshëm në DRAP Durrës dhe ZVAP-ve. Në këtë pjesë, auditi ka gjetur bilance kaotike dhe të çrregullta, që kanë qenë aq të mëdha sa KLSh thotë në raport se refuzon të japë një opinion për to.
“Lidhur me saktësinë, vërtetësinë dhe besueshmërinë e hartimit të pasqyrave financiare të konsoliduara më 31.12.2019 të DRAP Durrës, Kontrolli i Lartë i Shtetit refuzoi të jepte opinion. Nga auditimi i ushtruar nuk u siguruan evidenca të nevojshme dhe të mjaftueshme për dhënien e opinionit të auditimit mbi këto pasqyra financiare pasi, për vitin 2019 DRAP Durrës nuk ka hartuar pasqyra financiare të konsoliduara për 12 Zyrat Vendore të Arsimit Parauniversitar (ZVAP) në varësi të saj”, thotë KLSh.
Auditi vëren se largimet e padrejta nga puna i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej rreth 60 milionë lekë, ku gjysma e tyre si shpërblime nga vendimet gjyqësore për largim të padrejtë nga puna dhe gjysma tjetër për 82 punonjës të shërbimit civil që kanë përfituar pagesë përmes vendimeve gjyqësore pas largimit.
Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar të Durrësit është drejtoria më e madhe në vend. Ajo ka brenda juridiksionit të saj Zyrat Vendore të Arsimit Parauniversitar të Tiranës, Kamzës, Vorës, Kavajës, Rrogozhinës, Durrësit, Krujës, Bulqizës, Burrelit, Matit, Klosit dhe Dibrës.
Marrë nga Gazeta “Si”
