Elbasani feston “25 Nëntorin”/ “Më bëni një foto? Fëmijët i kam jashtë dhe nuk i shoh dot”

Përballë bustit të Aqif pashë Elbasanit është mbajtur ceremonia e 109 vjetorit të pavarësisë.

Gjyshër, prindër dhe fëmijë  kanë ndjekur shfaqen e bandës frymore “Afërdita”.

Teksa banda frymore ia merrte këngëve patriotike, njëra nga të moshuarat e qytetit i kërkuan stafit të ElbasanitON t’i bënin një foto me fëmijët që ishin veshur me kostumet tona tradicionale.

“Kam fëmijët jashtë shtetit dhe nuk i shoh dot. Më bën një foto që të më shohin?”,-tha ajo teksa zëri i dridhej.

Pa dyshim,  që në këtë ditë të veçantë nuk mund të mungonin as përfaqësuesit tanë politikanë.

Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë edhe deputetët e PS të Elbasanit, si edhe përfaqësues të pushtetit lokal. Kryebashkiaku Gledian Llatja në fjalën e tij vlerësoi e nderoi kontributin e 35 patriotëve firmëtarë të aktit të parë të mëvetësisë që parapriu atë të Ismail Qemalit në Vlorë më 28 nëntorit 1912. 

“ Kemi rastin të shprehim krenari që jemi qyteti i parë që vendosëm gurin e parë të themelit të pavarësisë së vendit tonë. Më 25 nëntor 1912 Elbasani shpalli i pari Pavarësinë kombëtare, duke vënë kështu gurin e parë në themelet e kësaj pavarësie. Në kuvendin historik të Vlorës, më 28 Nëntor të vitit 1912, Elbasani do të përfaqësohej nga Lef Nosi, Shefqet Daiu, Mit’hat Frashëri, Qemal Karaosmani, ndërsa Dervish Biçaku shkoi si delegat i Peqinit. Shpallja e Pavarësisë ishte nder për Elbasanin, por edhe e drejtë legjitime për vendin që zuri dhe rolin që luajti ky qytet në shpalljen e Pavarësisë kombëtare”, tha Z Llatja. 

109  vjet më parë, 35 patriotë nga Elbasani por edhe rrethet e tjera të tij  shpallën pavarësinë e këtij qyteti në Shqipërinë e Mesme, duke ngritur të parët flamurin e Pavarësisë dhe duke i paraprirë kështu pavarësisë së vendit në 28 nëntor./ elbasanion