Dëmtuan rrjetin elektrik të Cërrikut/ Arrestohen dy persona, shpallet një tjetër në kërkim

Dy shtetas janë arrestuar në Cërrik pasi kanë dëmtuar rrjetin elektrit të qytetit. Shtetasit I.H., 38 vjeç dhe A.S. 44 vjeç janë arrestuar në flagrancë, kurse një 53-vjeçar është shpallur në kërkim.

DVP Elbasan 

Cërrik/Arrestohen në flagrancë 2 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër, për veprat penale “Shkatërrimi i rrjetit elektrik”, ”Prerja e drurëve dekorativë dhe frutorë” dhe “Shkatërrimi i pronës”. 

Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Cërrik u arrestuan në flagrancë shtetasit I. H., 38 vjeç dhe A. S., 44 vjeç, pasi kanë prerë disa pemë dekorative, në Cërrik, të cilat kanë rënë mbi shtyllat e tensionit të lartë, duke dëmtuar rrjetin elektrik të qytetit të Cerrikut. 

Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi I. H., 53 vjeç, banues në Cërrik për veprat penale “Shkatërrimi i rrjetit elektrik” dhe ‘’Shkatërrimi i pronës”, pasi ka kontraktuar shtetasit e lartpërmendur, për të prerë drurët dekorativë, kundrejt pagesës.