Nga Bardha Nergjoni
Dikush mund të thotë që po bëj opozitë dhe e shikoj me syrin e opozitarit investimin më të madh që po bëhet nga qeveria në Elbasan. Ndoshta po bëj opozitë por si gazetar mendoj se ky është roli im dhe i detyrohem kaq opinionit që më ka ndjekur këto 20 vite karrierë. Unë do ta shpjegoj mendimin tim, që nuk do të thotë që është edhe mendimi i të gjithë atyre që më lexojnë. Nuk bëj politikën e askujt por eci me mendimin se disa të vërteta duhen thënë edhe pse mund të jenë të hidhura.
Në fakt investimet mbi 100 milion lekë në objekte të rëndësishme në Elbasan nga qeveria janë pak dhe mund ti rëndisim:
Kështu një investim, për të cilin isha shumë optimiste në fillim por që mu shua optimizmi në vitet e para është “Elbasan Arena”. Ndeshjet e para ndërkombëtare e kombëtare më kthyen shpresën se Elbasani do të kthehej në një qytet të zhvilluar për shkak të efektit të tifozëve por që shumë shpejt u ndërtua një stadium tjetër në Shkodër dhe më pas në Tiranë duke humbur rolin e Elbasanit dhe stadiumit të tij kaq afër kryeqytetit. Ndeshjet janë aq të rralla këto vitet e fundit dhe kostoja e mirëmbajtjes është e madhe, sa ky stadium i kushton buxhetit të shtetit pra taksave tona miliona lekë në muaj.
I dyti investim madhor ishte parku Rinia. Ky park u kthye në zhgënjimin më të madh të Rilindjes Urbane. Një projekt i pakonsultuar dhe i hartuar keq nga një studio me jo ndonjë eksperiencë të madhe, bëri që tashmë të kemi pasojat prej betoni. Bashkisë iu desh të ndërhyjë për të riparuar disi dëmin duke shtuar stola, të cilat në projekt nuk ishin parashikuar.
Një prej investimeve që u trumbetua si shpëtimi i Elbasanit është inceneratori. Ndërtimi i tij kushtoi miliona Euro dhe efekti i deritanishëm është transferimi nga një vendgrumbullim në një tjetër i mbetjeve dhe djegia me hope e mbetjeve që mblidhen nga bashkitë e tjera të qarkut. Për abuzime me fondet në ndërtimin e tij, janë në procedim nga SPAK dy ish drejtues të rëndësishëm në bashkinë Elbasan dhe hetimet janë në vazhdim.
Një investim, për të cilin prindërit janë falenderues është ndërtimi i shkollës “Jorgji Dilo”. Kjo shkollë në fakt ështëiI vetmi investim i drejtë dhe i domozdoshëm për shkak të gjendjes së shkollës së mëparshme. Ky investim erdhe edhe si nxitje e protestave të prindërve para ndërtimit të kësaj shkolle.
Dalim pak të Automotoparku, investimi i kësaj fushate në Elbasan. Elbasani është një rrugë tranzit dhe me ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan, fluksi i lëvizjes është rritur ndjeshëm. Kush kalon çdo pasdite në kthimin nga puna në autostradën Elbasan-Metalurgji e kupton çfarë trafiku krijohet dhe sidomos ditën e premte dhe të shtunë. Pra Elbasanit i duhej në mënyrë të domozdoshme një “bajpass”, që mund të shfrytëzonte shtratin e lumit, për të shmangur pikërisht këtë trafik, për të shmangur Kryqëzimin kaotik të Cërrikut dhe Unazën Jugore që është kthyer në tmerr të aksidenteve si i vetmi aks transit që lidh jug-lindjen me pjesën perëndimore pra me portin dhe me kryeqytetin.
Ky ishte investimi që unë prisja shumë të fillonte dhe ti jepte frymëmarrje qytetit. Nuk dua të dal parashikuese pesimiste por nëse nuk ke pjesën tjetër të infrastrukturës, ato makinat e garave do të ngelen në trafikun e Unazës, kryqezimit te Cërrikut apo autostradën Elbasan-Metalurgji. Nuk dua të filloj të diskutoj zhurmën e automjeteve dhe ndotjen që mund të sjellin këto gara për qytetin e Elbasanit. Këtë ia lë specialistëve të mjedisit ta konstatojnë. Nëse vërtet do të kisha parë rolin e një kryetari bashkie, do të ishte pikërisht kërkesa për investimet më emergjente që i duhen qytetit, ato që sjellin zhvillim ekonomik dhe e kthejnë Elbasanin në një qendër të rëndësishme e të qëndrueshme për ekonominë e vendit dhe që ia lehtësojnë jetën elbasanasve.
