Mbledhja e Këshillit të Ministrave, miratohen ndryshime lidhur me dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë

Këshilli i Ministrave në mbledhjen e kësaj të mërkurë miratuan një ndryshim të rëndësishëm në VKM 419, që lidhet me dëmshpërblimin për ish-të dënuarit politik të regjimit komunist.

Ministria e Financave propozoi heqjen e kufizimit për ndarjen e dëmshpërblimit në tetë këste të barabarta. Të gjitha dosjet me vlerë të mbetur për t’u paguar deri në 1 milion lekë të likuidohen brenda këstit të radhës.

Me këto ndryshime brenda një afati 4-5 vjeçar, parashikohet të paguhen plotësisht rreth 6,000 dosje nga 10,360 që janë në total, në proces pagese.

Ky ndryshim parashikohet të shoqërohet me një sërë efektesh pozitive si përshpejtimi i ndjeshëm në kohë të procesit, ku intervali mes kësteve reduktohet në rreth 2-2.5 vite nga 3.5-4 vite aktualisht.

Gjithashtu ky ndryshim sjell rritje të fondit vjetor për dëmshpërblime. Aktualisht ky fond është rreth 1.5 miliardë lekë.

Sipas qeverisë, ky vendim synon jo vetëm rritjen e eficiencës së pagesave, por mbi të gjitha përmbushjen e një detyrimi moral ndaj familjeve të të gjithë personave që kanë vuajtur në mënyrë të padrejtë nga regjimi i kaluar.