Librazhd/Finalizohet operacioni antidrogë, i koduar “Rrethinat”.
Në lokalin që administronte në Prrenjas, ndante Kokainën që kishte siguruar, në doza, me qëllim shitjen, arrestohet 32-vjeçari.
Në pranga për moskallëzim të krimit, një shtetas që u kap në ambientet e lokalit.
Sekuestrohen sasi lënde e dyshuar narkotike Kokainë, 3 peshore elektronike, 3 celularë, si dhe 48 100 lekë dhe 450 euro të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndës narkotike.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, në vijim të operacioneve kundër veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, të bazuara te kontrollet, puna operative dhe hetimet, finalizuan në drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, operacionin e koduar “Rrethinat”.
Në kuadër të operacionit u vunë në pranga shtetasit Gj. K., 32 vjeç dhe K. R., 29 vjeç, të dy banues në Prrenjas.
Gjatë kontrolleve në lokalin që administronte 32-vjeçari, në Prrenjas, u gjetën 76 doza dhe sasi lënde e dyshuar narkotike Kokainë, siguruar dhe përgatitur me qëllim shitjen. Gjithashtu u gjetën mjete që shërbenin për ndarjen e lëndës narkotike, në doza, si dhe shuma parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale.
Ndërkaq, 29-vjeçari u kap në ambientet e këtij lokali dhe dyshohet se kishte dijeni për veprimtarinë kriminale të shtetasit Gj. K., dhe nuk kishte kallëzuar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Elbasanit, për veprime të mëtejshme.













