Dokumenti/ Ligji i ri, kush nuk paguan energjinë elektrike do t’i sekuestrohet shtëpia!

Qeveria është bërë gati të ndryshojë ligjin për sektorin e energjisë elektrike, duke propozuar një paketë të re rregullash që forcojnë ndjeshëm mënyrën si trajtohen faturat e papaguara dhe detyrimet e konsumatorëve.

Projektligji i hedhur për konsultim publik, parashikon që klientët fundorë janë të detyruar të paguajnë faturat e energjisë sipas kontratës së furnizimit.

Në rast mospagese, furnizuesi ka të drejtë të ndërmarrë një sërë masash për arkëtimin e detyrimit, duke nisur nga njoftimi zyrtar, ndërprerja e energjisë elektrike dhe deri te procedurat e ekzekutimit të detyrueshëm përmes përmbarimit.

Risia më e fortë lidhet me mundësinë e vendosjes së barrës hipotekore mbi pasurinë e paluajtshme që furnizohet me energji elektrike.

Sipas projektligjit, kjo masë mund të aplikohet në rastet kur detyrimi i papaguar kalon vlerën 1.5 milion lekë dhe i përket klientëve jofamiljarë, pra kryesisht bizneseve.

Vendosja e barrës hipotekore nënkupton që prona lidhet juridikisht me borxhin dhe nuk mund të përdoret lirshëm pa u shlyer detyrimi.

Në praktikë, kjo e kthen faturën e energjisë nga një detyrim i thjeshtë pagesor në një detyrim që prek drejtpërdrejt pasurinë.

Paralelisht, projektligji ruan trajtimin e faturës së energjisë si titull ekzekutiv, çka i jep furnizuesit mundësinë të ndjekë procedurat e përmbarimit pa pasur nevojë për procese të gjata gjyqësore .

Megjithëse në tekst nuk përdoret drejtpërdrejt termi “sekuestrim”, kombinimi i barrës hipotekore me procedurat e përmbarimit krijon bazën ligjore që në faza të mëtejshme, nëse borxhi nuk shlyhet, të arrihet deri në ekzekutimin e pasurisë sipas legjislacionit civil.

Projektligji synon të forcojë disiplinën e pagesave në sektorin energjetik dhe të reduktojë borxhet e këqija, në një kohë kur paralelisht po shtohen edhe të drejtat e konsumatorëve për transparencë në faturim dhe akses në informacion mbi çmimet.

Në tërësi, ndryshimet tregojnë një qasje më të ashpër ndaj mospagesës së energjisë, duke e lidhur për herë të parë në mënyrë të drejtpërdrejtë faturën me pasurinë e konsumatorit, të paktën për kategorinë e bizneseve./skyweb