Monumentet e harruara rrezikojnë të kthehen në rrënoja në Shqipëri

Midis një blloku pallatesh shumëkatëshe përbri rrugës “Aleksandër Goga” në Durrës, një rrugicë të çon përpara një tabele me mbishkrimin: “Rrënojat e Ndërtesës me Mozaik”.

Monumenti njihet edhe si “Mozaiku i Meandrit”, i përket shekujve IV-III Para Erës Sonë dhe  gjendet në themelet e një pallati 11 katësh të ndërtuar në vitet 2005-2006.

“U deshën plot dy vite punë për ta nxjerrë në dritë këtë mozaik”, kujton arkeologia Brikena Shkodra-Rrugia, pjesë e ekipit të arkeologëve që dokumentuan gjetjet.

“Në vitin 2015, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Durrës, në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës e shpallën Monument Kulture të Kategorisë së Parë, por për fat të keq mozaiku është nën ujë me gjithë vlerat që mbart,” shtoi Shkodra-Rrugia. 

Monumenti qëndron i mbuluar dhe i mbyllur me një derë të ndryshkur hekuri, por midis kangjellave dallon prezenca e ujit, që ka mbuluar të gjithë sipërfaqen e monumentit që mbrohet nga shteti.

Aroma e rëndë tregon se aty dominojnë ujërat e përdorura që rrjedhin përmes tubacioneve të pallatit, që ngrihet mbi monument.

Mbi 20 qytetarë i raportuan Medias Amfora për raste monumentesh të tjera, që janë lënë në harresë dhe po degradojnë dita-ditës.

“Muret Antike të Persqopit” gjenden në fshatin Petrelë të Tiranës. Një vendbanim ilir, që sot ofron mure madhështore ndërtuar me blloqe të mëdha dhe një varr monumental, por sipas raportimeve të qytetarëve monumenti është lënë pas dore.

“Nuk ka asnjë lloj mirëmbajtje. Disa pemë kanë mbirë mes gurëve të murit, të cilët me kalimin e kohës po degradohen dhe po rrëzohen,” shkruajti me shqetësim Gertian Brovina, duke sjellë edhe foto dokumentuese të situatës.

Shqipëria numëron sot mbi 180 kala dhe kështjella si monumente të plota apo rrënoja në të gjithë vendin, por Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, IKTK tha se kishte miratuar 34 projekte restaurimi në dy vitet e fundit.

Ndër to, 14 ishin projekte të hartuara nga institucionet e kulturës, ndërsa 20 nga aktorë të tjerë privatë.

“Ju bëjmë me dije se IKTK nuk ka disponuar fonde për investime në objekte pasuri kulturore të tipologjisë fortifikime,” shtoi IKTK.

Monumentet, pjesë e krenarisë së banorëve

“Xhamia e Allajbegisë” gjendet në fshatin Burim të Maqellarës në Dibër. Objekti i kultit mendohet se është ndërtuar në vitin 1578, e përbërë nga një kupolë, minare dhe hajat.

Ajo spikat si nga të rrallat xhami të ndërtuara me “teknikën e klauzonazhit” (kombinimi i rreshtave të tullës me gurin). Por edhe pse e shpallur monument kulture në vitin 1970, ajo duket se nuk është trajtuar kurrë si e tillë.

“Është fat që Dibra të ketë ende të trashëguara disa objekte monument kulture, por që janë lënë totalisht në harresë, pasi nuk është investuar prej vitesh në to”, u shpreh për Median Amfora, Zamira Gjeleshi, banore në Maqellarë.

“Ajo është simbolike jo vetëm për fshatin Burim, por në të gjithë zonën, është xhamia që kemi trashëguar brez pas brezi, por askush nuk është kujtuar prej vitesh për të,” shton Gjeleshi, me profesion mësuese.

Nevojat për ndërhyrje i konfirmon dhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK), teksa bën me dije se ka një projekt restaurimi që prej korrikut të vitit të kaluar, por pa dhënë ndonjë afat për zbatimin e tij.

“Bazuar në gjendjen aktuale, objekti paraqet nevojë për ndërhyrje mirëmbajtje dhe konservuese”, shkruajti zyrtarisht IKTK në përgjigje të një Kërkese për Informacion për Median Amfora.

Por të tjerë banorë raportuan për banesa apo objekte me vlera hisotrike apo të trashëgimisë kulturore materiale, që nuk gëzojnë status mbrojtjeje nga shteti. Alexandros Gkinos shkruajti se “Tempulli i Shenjtë i Fjetjes së Virgjëreshës” dhe “Manastiri i Trinisë së Shenjtë” në fshatin Velahovë të Bashkisë Finiq, ishin rrënuar apo degraduar.

Nga verifikimi i këtyre rasteve rezultoi se ato nuk janë në Listën e Monumenteve të Kulturës, duke dëshmuar se rrënimi i objekteve të trashëgimisë kulturore shkon përtej atyre që mbrohen ligjërisht nga shteti.

Ekspertët theksojnë se evidentimi, analizimi dhe procesi i ndërhyrjes në monumente duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe mbi baza të trajtimit me metoda të mirëfillta shkencore.

“Duhet të ketë me tepër kërkim shkencor në procesin e monitorimit dhe investigimit të gjendjes së ndërtesave monument. Procesi i vlerësimit teknik të performancës së objekteve duhet të jetë më konservativ dhe të përfshijë ekspertë të shumë disiplinave”, analizon Nikolla Vesho, lektor në lëndën e “Restaurimit” në Universitetin Polis.

Armando Cako e raportoi gjendjen e monumentit “Mozaiku i Meandrit” përmes platformës “Raportimi i Qytetarëve të Angazhuar” të Medias Amfora. Ai punon në një zyrë vetëm pak metra larg mozaikut në lagjen numër 11 të Durrësit.

Monumenti përbëhet nga 12 ambiente të përmasave të ndryshme, ndërtuar në tre periudha kohore. Gjatë funksionimit të tij, ai u pasurua me afreske (piktura murale) dhe një mozaik me teknikën ‘bardh e zi’ dhe shërbeu deri rreth vitit 459 të Erës Sonë, kur dokumentohen gjurmët e shkatërrimit përfundimtar.

Ekspertët kërkojnë që për monumentet që gjenden poshtë godinave të reja të nisi një proces që mund t’i muzealizojë gjetjet arkeologjike. Për arkeologen Brikena Shkodra-Rrugia, Shqipëria është ende shumë larg vendeve të tjera përsa i përket çështjeve të konservimit dhe ofrimit të destinacioneve të tilla.

“Investitori e ka detyrim ligjor në Angli që çdo zbulim jo vetëm ta ruajë, por edhe ta muzealizojë,” tha ajo, duke iu referuar njohurive nga studimet në Mbretërinë e Bashkuar.

IKTK u përgjigj zyrtarisht se është në dijeni të problemeve dhe kushteve të papërshtatshme të ruajtjes së “Mozaikut të Meandrit”, me praninë e tubacioneve “të ujërave të bardha dhe të zeza”. Instituti shtoi se për të shmangur degradimin e strukturës, shtresave mbajtëse dhe për ta kthyer në të vizitueshëm, do të realizohet zhvendosja dhe ekspozimi i tij në ambientet e Muzeut Arkeologjik Kombëtar Durrës.

Megjithëse ka një vendim të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale me numër 600, datë 12 tetor 2021, nuk ka ende një datë për nisjen e procesit. Ekspertët theksojnë se kompanitë apo specialistët që realizojnë ndërhyrje restauruese duhet të kenë kontrolle më strikte për cilësinë e punimeve.

“Duhet pasur kujdes edhe me adaptimet që i bëhen objekteve të tilla, duke qenë më konservativë me lejet e dhëna. Shpeshherë ndodh që gjatë një adaptimi dëmtohet vlera arkitektonike e objektit apo fallcot artistike, që mund t’i shkaktojë objektit autentik një shtesë e cila imiton arkitekturën e ndërtesës bazë,” analizon Nikolla Vesho, lektor në lëndën e “Restaurimit”, në Universitetin Polis.

IKTK për një sërë monumentesh të raportuara nga qytetarët, si “Banesa e Reshit Zunës, në Fshatin Sohodoll, Dibër” dhe “Banesa (Kulla) e Lazim e Mynir Markaj, në fshatin Shupenzë, Dibër”, tregon se ka projekte restaurimi që prej viteve’ 70, por që nuk janë realizuar ende.

Pothuajse të njëjtin fat ka edhe “Kulla e Dine Hoxhës”, për të cilën është në hartim procesi i restaurimit, por që nuk është realizuar ende asnjë ndërhyrje.

“Kullat e famshme dibrane ose odat e kuvendeve dibrane janë pasuria jonë, të cilat po humbasin vit pas viti, pasi akush nuk kujtohet për to,” rrëfen me keqardhje Zamira Gjeleshi, banore e Maqellarës.

Ndërsa për banorë të tjerë që raportuan për kala, site arkeologjike, objekte kulti dhe monumente të tjera, degradimi i tyre po i largon edhe interesin e vizitorëve.

“Kur u bë zbulimi i mozaikut menduam që do të kishim një destinacion më shumë për t’u ofruar miqve që na vijnë në Durrës, por sot nuk gjejmë dot përgjigje kur na pyesin për të, pasi mozaiku është nën ujë”, përfundoi Cako.