“Nëse do të bësh steril një popull, fshiji atij historinë”/ Universiteti i Elbasanit publikon vepren e Riza Hasës

SAMSUNG

Në kujtim të Profesor Riza Hasa (1950-2022)
Profesor Riza Hasa ishte një ndër figurat më të spikatura të mjedisit universitar, shkencor dhe kulturor të qytetit të Elbasanit. Fillimisht si mësues i përkushtuar, e më tej arkeolog, historian, pedagog, studiues, publicist, promovues i trashëgimisëarkeologjike e historike të rrethit të Elbasanit, ai u bë një emër i rëndësishëm për qytetin dhe burim reference për kërkuesit e rinj dhe me përvojë që interesoheshin për “thesaret” e trevës.
Ai lindi në Skrapar më 3 mars të vitit 1950. Ai nisi punën si mësues në Dragot të rrethit të Elbasanitqë në vitin 1967, pas mbarimit të shkollës së mesme. Më tej nisi studimet në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua për histori dhe gjeografi. Deri në vitin 1984 ka punuar si mësues, por edhe drejtues në shkollat e rrethit të Elbasanit, si në Belsh etj. Nga viti 1984 dhe deri në vitin 1993 ai punoi si kërkues dhe bashkëpunëtor shkencor në Institutin e Kërkimeve Arkeologjike në Tiranë.
Si kërkues shkencor i Institutit të Arkeologjisë dhe anëtar i departamentit tëprehistorisë, veprimtarinë e tij kërkimore ia kushtoi hulumtimit të gjurmëve arkeologjike përreth territorit të Elbasanit. Ndër angazhimet e tij më të rëndësishme në fushën e kërkimeve prehistorike janë gërmimet arkeologjike në vendbanimin prehistorik të Lleshanit, në zonën malore të Shpatit, Elbasan. Rezultatet e disa fushatave gërmimesh kryer në këtë vendbanim u botuan në revistën “Iliria” 1987, 1989 dhe 1990, organ i përvitshëm i Institutit të Arkeologjisë.
Profesionalizmi dhe nuhatja prej një arkeologu të spikatur mundësuan rënien në gjurmët e një thesari prej 2700 monedhash të ruajtura në një enë bronzi, dëshmi e dinamikës së zhvillimit të vendbanimit të Lleshanit gjatë periudhës qytetare ilire. Pasioni i tij në zbulimin e të fshehtave të Lleshanit ka sjellë si rezultat të dhëna të rëndësishme mbi natyrën e këtij vendbanimi, si edhe intensitetin e përdorimit dhe dinamikat e zhvillimit dhe transformimit të këtij vendbanimi. Si njohës shumë i mirë i materialit arkeologjik të periudhës antike, ai sugjeroi lidhjet e sakta kulturore të Lleshanit me grupin kulturor të rajonit në veri të lumit Shkumbin.
Në vitin 1994 u emërua pedagog në Universitetin e Elbasanit “A.Xhuvani”, në katedrën e historisë dhe gjeografisë dhe punoi në këtë institucion derisa doli në pension. Përgjatë kësaj periudhe ai ka qenë lektor i kurseve të Arkeologjisë dhe Historisë së Popullit Shqiptar. Ka qenë përgjegjës i grupit mësimor-shkencor të historisë, anëtar i këshillit shkencor të Fakultetit të Shkencave Humane. Më datë 30.01.2014 Këshilli i Profesorëve të Universitetit të Elbasanit i dha titullin “docent”.
Edhe pas shkëputjes nga angazhimet zyrtare në Institutin e Arkeologjisë, prof.Rizai vazhdoi të ishte një pikë e rëndësishme referimi dhe burim i pashtershëm shkëmbimi përvojash me kërkuesit e këtij Instituti, si edhe për çdo projekt studimor me fokus në vendgjetje të rëndësishme arkeologjike përgjatë shtrirjes së rrugës Egnatia.
Dashuria e tij për arkeologjinë çoi në ngritjen e laboratorit të arkeologjisë pranë Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, ku grumbulloheshin gjetje arkeologjike nga zona përreth Elbasanit. Me angazhimin e tij personal u bë i mundur studimi i materialit të këtij laboratori në bashkëpunim me kolegë të Institutit të Arkeologjisë dhe botimi i tij në Konferencën Ndërkombëtare “Risi arkeologjike nga trevat shqiptare”, organizuar nga Instituti i Arkeologjisë në vitin 2017.
Të dhënat e këtij materiali, me prejardhje nga një varreze e zbuluar përmes gërmimeve të padokumentuara në Mirakë kanë dhënë rezultate të rëndësishme jo vetëm mbi larminë e gjetjeve prej qeramike dhe metali, por edhe kuptimin e tij në kontekstin politik dhe kulturor të territorit përreth Elbasanit gjatë periudhës romake. Natyra ushtarake e koleksionit të Mirakës është një vlerë e shtuar në njohuritë tona mbi nivelin e barbarizimit, militarizimit dhe ruralizimit të banorëve lokalë të këtij territori.
Ndër kontributet e tij më të rëndësishme si studiues përmendim studime, si: “Gërmime arkeologjike në Lleshan (Elbasan)”, “Iliria” 17-2, 244-245, 1987;“Gërmime arkeologjike në Lleshan (Elbasan), Iliria 19-2, 266-267, 1898; “Gërmime arkeologjike në Lleshan (Elbasan), Iliria 20-2, 253-254, 1990; Hasa Riza, Shkodra-Rrugia, B, Veseli. S, 2017, “A Necropolis of the mid-Roman period (3rd to 4th century)? – Occasional finds from Mirakë (Elbasan)” botuar në Proceedings of International Congress for Albanian archaeology, Tirane 30-31 Janar 2017, Tiranë 2017. Ishte hartuar i disa zërave për pasurinë arkeologjike të qytetit të Elbasanit në “Elbasani-Enciklopedi”, botuar në 2003. Ishte anëtar i këshillit shkencor botues të revistës etnokulturore “Albanon” (ISSN: 2616-6372), botim i Albanian Digital Archives and Collections, që prej themelit të saj në 2018, dhe shkrues në numrat e parë të kësaj reviste me shkrimet: “Zbulime arkeologjike në trevën e Elbasanit”, “Saraje pashallarësh në Elbasan, por kush ishte pashai?”, “Thesaret ‘e fshehura’ të qytetit të Elbasanit”.
Profesor Rizai ishte aktiv në shtypin e përditshëm, botues artikujsh informues dhe polemikë, i intervistuar nga media të ndryshme për çështje të pasurisë arkeologjike lokale dhe kombëtare, një intelektual i angazhuar në mbrojtje të monumenteve historike dhe arkeologjike të rrethit të Elbasanit, bashkëpunëtor plot energji në projekte kërkimore qoftë të terrenit, qoftë në hartimin e guidave historike e kulturore për rrethin e Elbasanit, mikpritës dhe udhërrëfyes pasionant në sitet arkeologjike për studentë, vizitorë, kërkues shkencorë, dashamirës të arkeologjisë dhe të monumenteve historike.
Ai ndërroi jetë në qytetin e Elbasanit, pas një sëmundjeje të rëndë, në 21 janar 2022.