Rama:”Politikanët janë të mallkuar. Protesta e PD-së si në mesjetë”

Gjatë takimit me të rinjtë socialistë për 30-vjetorin e krijimit të FRESH kryeministri Rama ka komentuar situatën e brendshme në selinë e Partisë Demokratike. 

Rama tha se në 8 janar, godina e PD u kthye si kështjellë, ku një palë luftonte për ta marrë dhe pala tjetër për të mos e lëshuar.

“Apo ato që pamë pak ditë më parë në 8 janar, asnjë km larg nga këtu te oborri i një partie që u kthye në shesh xhirimin e një realityshow. Me politikanë realë, por të arratisur mbrapa në kohë, diku andej nga mesjeta dhe godinë  e kthyer në kështjellë.

Disa luftonin për ta marrë, disa luftonin për të mos e lëshuar. Gjëra të paimagjinuara që po ndodhin gjithnjë edhe më shumë në vende të ndryshme dhe situata të ndryshme”, tha Rama.

Në fillim të takimit ai tërhoqi vëmendjen e të gjithëve pasi tha se do t’u referohej dijetarëve grekë, duke u ndalur te politika e cila, sipas tij, ka hyrë botërisht në listën e fjalëve të pista, ndërsa politikanët janë më të mallkuarit.

“Duke menduar se për ju është një sforco e veçantë që ditën  shtunë me këtë diell, me ata që keni në krah, të tjerë që mund t’i shikoni si anash dhe thoni kur mund ta bëjmë një takim të dëgjoni fjalime është mbase e tepërt. Mu duk udhës që të bëj sot një fjalë ndryshe nga ato që keni dëgjuar dhe të merrem me politikën si fjalë. Si fjalë e urryer për shumëkënd në kohën që jetojmë, si fjalë e shkarravitur sa në asnjë kohë tjetër, si asnjë fjalë tjetër, mes fjalëve më të këqija.

Falë edhe një mundësie krejt të panjohur që kjo kohë ua dha njerëzve për tu futur në rrjetet sociale, si në korridoret e metrove ku lënë shkarravina. Fjala politikë ka hyrë botërisht në grupin e fjalëve të pista. Edhe politikanët kanë hyrë në një kategori të mallkuar në të gjitha bisedat”, tha Rama.

“Jo më kot është thënë shpesh por i pari e ka thënë Aristoteli se politika është ajo që e dallon njeriun nga gjallesat e tjera. Është një kafshë politike. Njeriu është e vetmja kafshë politike. Ishte politika që u dha mundësinë njerëzve të krijojnë bërthamën e parë të shoqërisë deri në formimin e shtetit“, shtoi kreu i qeverisë më tej.