Humb jetën 3-vjeçari nga Kosova, mbi 75% e trupit kishte pësuar djegie

Një 3-vjeçar nga Ferizaj ka humbur jetën pasi trupi iu dogj mbi 75% gjatë zjarrit që kishte rënë në shtëpinë e tij.

Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar Shefi i Intensivës, Shaqir Uka.

“S’ka mujt me iu përballu plagëve që i ka marrë nga djegjet, pak minuta pas mesnatës ka ndërruar jetë”, ka thënë Uka për Express.

Sipas njoftimeve të mëparshme,  zjarri i rënë të shtunën e kaluar në një shtëpi të fashatit Saraishtë, Ferizaj i mori jetën 3-vjeçarit i cili ndodhej në një nga dhomat e shtëpisë. 

Dyshimet e para mbi shkaqet e zjarrit lidhen me një problem me rrymën energjitike.

Lidhur me këtë rast Zyra për Komunikim në KEDS në një përgjigje për Express ka thënë se ekipet në vendin e ngjarjes kanë marrë të dhënat dhe janë duke i analizuar ato për krijimin e një raporti.

Pasi raporti në fjalë nuk ka përfunduar akoma, KEDS ka kërkuar që palët të përmbahën nga konkludimet lidhur me shkaqet e zjarrit.

“Ekipet e KEDS kanë qenë në vendin e ngjarjes, i kanë marrë të dhënat, janë duke i analizuar ato dhe do ta përpilojnë një raport profesional ne baze te atyre te dhenave. Pasi raproti nuk eshte i gatshem ende, KEDS lut të gjitha palët të përmbahen nga konkludimet lidhur me shkaktarin e zjarrit”, thuhet në përgjigjen e KEDS