Nga: Dallandyshe Xhaferri
Kryqi i Kuq në Shqipëri përfaqëson shoqatën më të vjetër humanitare, e cila më 4 tetor të këtij viti mbush 100 vjetorin e zhvillimit të veprimtarisë në Shqipëri.
Ndonëse duket sikur Shqipëria ka ende raporte të vakëta me vullnetarizmin, më shumë se një shekull më parë, gjatë Luftrave Ballkanike, vullnetarët e Kryqit të Kuq zbritën për herë të parë në tokën tonë.
Drejtuesi i degës së Kryqit të Kuq në Elbasan, Ened Llapushi ka thënë për ElbasaniON, se në Elbasan ka një numër jo të vogël vullnetarësh të përhershëm.
“Nuk kemi një databaze të saktë për vullnetarët e përhershëm, por në raste përmbytjesh, tërmetesh dhe pastrim të territorit, janë të paktën 40 vullnetarë të përherershëm që japin gjithnjë kontributin e tyre”- shprehet Llapushi.
Numri gjimnazistëve, studentëve, mjekëve që japin kontributin e tyre si vullnetarë në qytet është i madh, por pavarësisht kësaj sfida me të cilën po përballen organizatat vullnetare në qytet mbetet largimi i vullnetarëve rinj drejt Tiranës ose jashtë shtetit.
“Shumë gjimnazistë kur mbarojnë shkollën e mesme i drejtohen Tiranës, një pjesë vazhdojnë të jenë vullnetarë, kurse një pjesë tjetër fokusohet në jetën studentore.”
Ndryshe nga organizatat e tjera vullnetare, të cilat zhvillojnë veprimtarinë e tyre të pavarur, Kryqi i Kuq në Shqipëri ndërvepron me simotrat e saj kudo në botë.
“Në raste nevoje, urgjente simotrat e Kryqit të kuq shqiptar ofrojnë ndihmën e tyre. Gjatë tërmetit të 26 nëntorit në vendin tonë ofruan ndihmën e tyre simotrat në Kosovë, Itali, Kroaci, Turqi (Gjysmë Hëna) etj. Të gjithë zbatojmë 7 parimet kryesore të Kryqit të Kuq, ndër të cilat është dhe vullnetarizmi. Gjatë tërmetit vullnetarët tanë dhanë kontributin e tyre duke gatuar ushqime me kuzhinën tonë lëvizëse. Gjithashtu, pranë çadrave të ngritura në Thumanë shpërndamë letra higjenike, pelena. Në çadra kishte njerëz të sëmurë, foshnje, të cilëve u ishte sjellur ushqimi, por askush nuk ishte kujdesur për higjenën”-shton Llapushi.
I pyetur në kishte dijeni, apo nëse dikush ishte konsultuar me vullnetarët për miratimin e ligjit 45, të propozuar në vitin 2016 nga deputetet Kejdi Mehmetaj dhe Silva Cakaj, ku sipas të cilit ofruesi i vullnetarizmit është i detyruar t’i japë vullnetarit një kopje të kontratës sësigurimit të shëndetit dhe aksidenteve, brenda 3 ditëve nga firmosja e kontratës së vullnetarizmit, Llapushi është përgjigjur se ai nuk ka dijeni për këtë ligj dhe shoqata operon me ligjin e vitit 1994.
Një pikë mjaft intersante në këtë ligj është se për programe të veçanta Këshilli i Ministrave mund të mbështesë veprimtarinë e Kryqit të kuq me fonde buxhetore, çka nuk është kryer asnjëherë.
Sigurimi i fondeve për këtë shoqatë mbetet ende një sfidë, pasi donacionet janë të papërfillshme dhe trajnimi për ndihmën e parë të i kandidatëve për drejtues automjetesh mbetet i vetmi burim mujor i të ardhurave.
Natrin Çoçka është shprehur se të qenurit vullnetar e ka ndihmuar të jetë më empatik, të marrë emocione të forta gjatë shpërndarjes së ndihmave për të varfërit.
“Është gëzim i madh të shohësh se si njerëzit gëzohen kur ti u dhuron atyre një pako me ushqime. Gjithashtu, përfshirja ime në programin e dhurimit të gjakut më ka ndihmuar edhe në anën profesionale. Si një infermier i ardhshëm nuk kam pasur mundësi të përdor aparaturat e nevojshme për marrjen e gjakut në universitet dhe veprimtaria ime si vullnetar ma ka ofruar këtë mundësi, pra, të qenurit i përditësuar me teknologjinë e fundit.”
Të qenurit vullnetar ende nuk është kthyer në kulturë të shoqërisë shqiptare dhe organizatat e vendit përballen me vështirësi ekonomike, ku donatorët mungojnë dhe të ardhurat mbeten të vakëta.