Ardian Çollaku, i cili ka mbetur viktimë mbrëmjen e sotme në Elbasan, mësohet të ketë qenë i arrestuar më parë për dhunë në familje dhe trafikim të lëndëve narkotike.
Më herët Çollaku kishte qenë i dënuar edhe në shtetin italian për trafik narkotikësh. Pasi është arrestuar nga autoritetet shqiptare, ai ishte ekstraduar drejt Italisë për të vuajtur dënimin.
50-vjeçari ishte baba i dy djemve ndërsa kishte përdorur në të shkuarën edhe mbiemra të tjerë, ndër to edhe Subashi.
Sipas informacioneve paraprake, ai nuk ishte i skeduar si pjesë e ndonjë grupi kriminal ndërsa deri më tani dyshimet kryesore lidhen me të shkuarën kriminale dhe dënimin në Itali në fushën e narkotikëve.
Ngjarja ka ndodhur pas orës 19:00 të së hënës në një lokal pranë një pike karburanti ku ai kishte shkuar me makinën e tij për të konsumuar kafe, por autorët po i bënin pritë. Ata kanë qëlluar me breshëri automatiku duke e lënë të vdekur. Një makinë e djegur është gjetur në fshatin Balldre, e cila dyshohet se u përket autorëve.