Rrahu rojen e dyqanit, arrestohet 23-vjeçari në Elbasan

Katër shtetas janë arrestuar nga Policia Elbasan për shkelje të ndryshme të  ligjit. Një shtetas 23-vjeçar me inicialet F.Ç ka dhunuar në lagjen “Dyli Haxhire” rojen e një dyqani me iniciale  R.K. 

Një 15-vjeçar është arrestuar si pasojë e veprës penale “Vjedhje” kurse dy shtatas të tjerë janë arrestuar për “Ushtrimin e jashtëligjshëm lojërave të fatit” dhe “drejtim mjeti pa dokumenta”.

DVP Elbasan 

Vihen në pranga 4 shtetas për vepra të ndryshme penale. 

Vijojnë kontrollet e pandërprera në të gjithë qarkun Elbasan, në zbatim të planit të masave për evidentimin dhe ndëshkimin ligjor të veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit. 

Evidentohet një rast i ushtrimit të kësaj veprimtarie të kundërligjshme, arrestohet në flagrancë 1 shtetas. 

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive së lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, shtetasin:

B.D., 31 vjeç, banues në Librazhd, pasi nga kontrolli i ushtruar në ambientet e lokalit të tij iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një telefon në të cilin kishte të hapur faqe interneti për baste sportive.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”, shtetasin:

F. Ç., 23 vjeç, banues në Elbasan, pasi në lagjen “Dyli Haxhire”, Elbasan, është konfliktuar për motive të dobëta dhe më pas ka goditur për shkak të detyrës, rojën e një dyqani, shtetasin R. K.

Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan kapën dhe ndaluan për veprën penale “Vjedhja”, shtetasin:

B.E., 15 vjeç, banues në Elbasan, pasi në lagjen “Syrja Dylgjeri”, Elbasan, dyshohet se ka vjedhur një ciklomotor.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Elbasan arrestuan në flagrancë për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, shtetasin:

K.D., 25 vjeç, banues në fshatin Zdrajsh, Librazhd, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë Rrugore, duke drejtuar motoçikletën pa leje drejtimi.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.