Prona e sekuestruar e krimit në Elbasan kthehet në punishte për gratë e margjinalizuara

Në kuadër të projektit “Tradita ime Artizanale” në Elbasan është krijuar një laborator për prodhimet artizanale.

Media “Top-Channel” ka publikuar së fundmi një kronikë, në të cilën pasqyrohet rikthimi i traditës elbasanase e cila po merr jetë dhe në duart e grave të margjinalizuar në një nga pronat e sekuestruara prej krimit të organizuar.

Organizatorët thonë se pavarësisht projekteve të mira sociale duhet mbështetja e strukturave shtetërore që ato të jenë jetëgjata dhe t’u vijnë në ndihmë sa më shumë personave.

“Në qytetin e Elbasanit është hera e parë, ndërsa në Shqipëri janë vetëm 4 sipërmarrje sociale të cilat operojnë në pronat e konfiskuara të krimit. Ne kemi 20 gra të trajnuara, prej të cilave 8 janë të punësuara”-ka thënë organizatori i këtij projekti.

“Ky është qëllimi i sipërmarrjeve sociale: t’i krijojnë mundësi njerëzve që nuk kanë mundësi”,- ka shtuar ai.

Një nga gratë e punësuara është shprehur se të shohësh punët e bëra aq bukur është nxitje që i shtyn akoma dhe më tepër gratë të punojnë.