Gjatë 72 orëve të fundit policia ka bërë me dije se në kuadër të kontrolleve me makinën inteligjente, radarë, dronë, alkooltestues, aparate fotografike 15 shoferë të pabindur kanë rënë në pranga.
Gjithashtu, janë hequr 75 leje drejtimi dhe janë ndëshkuar 2421 shoferë.
Gjatë 3 ditëve të fundit, si rezultat i përdorimit të makinës inteligjente në akse rrugore me risk e në vende të cilësuara si njolla të zeza, janë vendosur 2134 masa administrative, për shpejtësi tej normave të lejuara, për mosvendosje të rripit të sigurimit dhe për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit.
Njoftimi i plotë:
Vijojnë në të gjitha rrugët e vendit, qendrat urbane dhe rurale, kontrollet intensive nga Policia Rrugore, me radarë, makinën inteligjente, dronë, mjete të paloguara, kamera, aparate fotografike e alkooltestues, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.
Si rezultat i kontrolleve gjatë 72 orëve të fundit, janë konstatuar përsëri shumë drejtues mjetesh që kanë tejkaluar shpejtësinë më shumë se limiti i lejuar dhe drejtues mjetesh që kanë drejtuar mjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Janë arrestuar në flagrancë 15 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët 9 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 6 për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë pezulluar 75 leje drejtimi, nga të cilat 41 për shpejtësi mbi normat e lejuara, 30 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 4 për qarkullim në sens të kundërt.
Janë ndëshkuar me masë administrative, në të gjithë vendin, nga shërbimet e Policisë Rrugore, 2421 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës, konkretisht për parakalime të gabuara, manovra të rrezikshme në rrugë, drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, mospërdorim të rripit të sigurimit, përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit, për shpejtësi tej normave të lejuara (pa sanksionin plotësues të pezullimit të lejes së drejtimit), për mosvendosje të kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve dhe për parkime të gabuara, që bllokojnë lëvizjen e lirë të këmbësorëve, etj.