Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka shprehur mirënjohjen e tij dhe të partisë që drejton për mbështetjen që SHBA i ka dhënë Shqipërisë.
Ai ka shkruar se me delegacionin amerikan ka arritur të ndajë shqetësimin e tij për korrupsionin, masakrën zgjedhore dhe lidhjet e politikës shqiptare me botën e krimit.
Në takim Basha thotë se u diskutua edhe për situatën në Kosovë dhe rajon.
Basha zbardh takimin me delegacionin amerikan:
Kënaqësi të mirëprisja delegacionin e Kongresit amerikan dhe ambasadoren Yuri Kim dhe t’u shprehja mirënjohjen time dhe të PD për mbështetjen e jashtëzakonshme që SHBA i kanë dhënë Kombit shqiptar. Ndava me ta shqetësimin tonë për situatën në Shqipëri, nivelin e lartë të korrupsionit, masakrën zgjedhore dhe lidhjet e politikës me krimin.
Diskutuam edhe për situatën në Kosovë dhe rajon. Mbyllja sa më e shpejtë e bisedimeve Kosovë-Serbi me njohjen reciproke, do t’i shërbente paqes dhe stabilitetit në rajon, që sot mbetet i brishtë. Ritheksova se për mua dhe PD, SHBA janë partneri ynë strategjik dhe bashkëpunimi sa më i ngushtë ekonomik, politik dhe në fushën e sigurisë është prioritet kryesor i yni.