“Nuk kam bërë gjë”/ Zbulohet çfarë ka thënë Stresi pas arrestimit gjatë protestës

Arkimed Lushaj, ose i njohur ndryshe si Stresi, është një nga 34 të arrestuarit e protestës së mbështetësve të ish-kryeministrit Berisha.

Këngëtari është shprehur se ai nuk ka kryer asnjë veprin të paligjshëm dhe se policia nuk ka prova për të.

“Kam marrë pjesë dhe nuk kam kryer asnjë veprim të paligjshëm. Nuk ka sjellë prova policia”, ka thënë Stresi në dëshminë e tij.

Hetimet nga ana e prokurorisë janë duke vijuar dhe ende nuk dihet zyrtarisht se për çfarë akuze është arrestuar reperi.

Stresi i cili është djali i Sali Lushës, ish-badigard i ish-kryeministrit Sali Berisha, ditën kur u shoqërua postoi në rrjete sociale një video nga furgoni i policisë.

Ai shkruante: “Nëse kam gjuajtur një gurë keni të drejtë me vepru po jo kot. Unë duhet të shoqërohem gjithmonë pa bo gjo? I bëj thirrje mediave”.

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar sot “arrest në shtëpi” për katër nga personat e vënë në pranga pas protestës së 8 janarit. Po ashtu, mësohet se për 30 të tjerë është kërkuar “detyrim paraqitjeje”. 8 janari agravoi në dhunë dhe u desh ndërhyrja e policisë për të shpërndarë protestuesit. Protesta e dhunshme në selinë blu u pasua me një sërë vendimesh të rëndësishme nga kryesia e PD. Gjatë mbledhjes së zhvilluar deri në orët e para të mëngjesit kryesia e PD vendosi përjashtimin e Sali Berishës dhe 8 anëtarëve të tjerë pjesë e Komisionit të Rithemelimit.