Noka: Basha ka afat deri më 5 janar, në datën 8 demokratët do të thirren…

Flamur Noka deklaroi se Lulzim Basha ka kohë deri më 5 janar për të liruar zyrën e kryetarit, ndërsa më datë 8 demokratët do të thirren për të bërë përmbaruesin paqësor.

Më tej ai theksoi se Basha vazhdon të mbajë peng PD-në, për llogari të Ramës.

“Nëse më 5 janar, deputeti Basha nuk i hap rrugë rivendosjes se demokracisë në PD, por tenton të vazhdojë ta mbajë peng PD për llogari të Ramës, atëherë më 8 janar do të thirren demokratët e Shqipërisë të bëjnë përmbaruesin paqesor të vullnetit të tyre të shprehur më datë 11 dhjetor në Kuvendin e PD-së dhe të datës 18 dhjetor me Referendum”, tha Noka.

Komisioni për Rithemelimin e PD-së i ka dërguar një shkresë Bashës që të lirojë zyrën e kryetarit të PD-së deri në datën 5 Janar, në respekt të vendimit për shkarkimin e tij, fillimisht në Kuvendin e datës 11 Dhjetor, dhe më pas në Referendumin e datës 18 Dhjetor.

Për vetë Bashën të dyja vendimet e mësipërme janë nul dhe pa asnjë referencë ligjore.