Unë jam Ilir Copja, dua të ndaj me ju eksperiencën time të studimeve në Itali. Unë u diplomova në qershor të vitit 2024 në Universitetin e Camerino-s, Shkolla e Jurisprudencës, Master në “Menaxhim i fenomeneve migratore dhe politikave integruese në Bashkimin Europian”. Ajo ishte një eksperiencë e cila më mësoi dhe ndihmoi shumë, një eksperiencë që do ia sugjeroja kujtdo që ka dëshirë dhe vullnet të eksplorojë, të përmirësohet dhe të dalë nga zona e tij e rehatisë.
Unë zgjodha Universitetin e Camerino-s me një histori thuajse shtatëshekullore (themeluar më 1336), ku janë diplomuar ndër vite shkencëtarë dhe shtetarë të cilët kanë patur rol në historinë italiane dhe më gjerë. Eksperienca akademike e jetuar aty ishte një model sesi duhet të jenë ambjentet akademike në Shqipëri dhe më ndihmoi të bëj dallimin midis jetës akademike në Itali dhe asaj në Shqipëri ku kisha përfunduar studimet bachelor dhe master profesional në degën e histori-gjeografisë.
Një aspekt i rëndësishëm dhe favorizues ishte pasja e një burse të plotë të ofruar nga shteti italian. Kjo më dha mundësi mua dhe shumë studentëve të tjerë italianë dhe të huaj të cilët nuk vinin nga situata ekonomike shumë të favorshme të gëzonin të njejtën të drejtë për të ndjekur ëndrrën e tyre akademike. Për fat të mirë kjo bursë e ofruar nuk është e vlefshme vetëm për Universitetin e Camerino-s por për të gjithë universitetet shtetërore italiane.
Meritokracia ishte një tjetër aspekt shumë i rëndësishëm. Universiteti ofronte stimuj dhe programe të vecanta për të angazhuar dhe integruar në tregun e punës studentët të cilët kishin aftësi dhe ambicje për të bërë karrierë. Qasja e profesorëve ishte positive me tendencën për të nxjerrë më të mirën nga studentët e tyre duke krijuar një marrëdhënie sa profesionale aq edhe njerëzore.
Universitetet italiane kanë një eksperiencë dhjetravjecare në mikpritjen e studentëve internacionalë. Studentët do mund të zgjedhin mes një shumëllojshmërie degësh në gjuhën italiane dhe angleze në të gjithë gadishullin. Në to do keni mundësi për një larmishmëri zgjedhjesh në të gjitha nivelet si: Bachelor, Master profesional, Master Shkencor, Doktoraturë.
Ftoj të rinjtë të interesuar të shkruajnë në neësletter e kësaj rubrike për të marrë më shumë informacion mbi universitetet e preferuara, degët e tyre dhe mënyrën se si mund të përfitojnë nga mundësia që përfitojnë sot në Itali me mijra studentë nga e gjithë bota.
Dërgoni pyetjet tuaja nëpermjet mesazheve në rrjete sociale ose WhatsApp dhe unë do ju përgjigjem në një kohë të pershtatshme.
Faleminderit
