Drejtori ishte hajduti që doli nga dera kryesore/Detaje nga “grabitja” Zyrave të Tokës në Vlorë

Vjedhja e dokumentave të tokës në Vlorë, ku hajduti hyri dhe doli nga dera kryesore, duket se ka qenë një plan i vetë drejtorit të Zyrës së Administrimit të Tokës, i cili foli për median rreth “grabitjes” së ndodhur.

Burime bëjnë me dije se drejtori Bardhi Gjika në bashkëpunim me specialistin Kreshnik Mino kanë falsifikuar disa dokumente për pronat në Dhërmi në pronësi të Spiro Dunit, i cili është vënë në pranga bashkë me Gjikën dhe Minon.
Sipas, të dhënave paraprake dyshohet se çështja pronësore e familjes Duni po gjykohet pasi ka pasur pretendime për falsifikime.
Dokumentet origjinale janë kërkuar të vihen në dispozicion të organeve të drejtësisë, dhe për të mos u zbuluar falsifikimi funksionarët e këshillit të Qarkut, kanë sajuar vjedhjen e tyre. Këto dokumente janë origjinale vetëm në këtë zyrë dhe nuk janë administruar nga ASHK.