Inceneratorët/ Rama: ”Nuk rishikojmë dot kontratat, presim gjykatën”

Edi Rama dhe Eridana Cano, drejtoresha e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, kanë publikuar rezultatet e Këshillit Kombëtar.

I pyetur nga gazetarët rreth rishikimit të kontratave të inceneratorëve, kryeministri tha se ligjërisht rishikimi i tyre është i pamundur, për sa kohë që një institucion i pavarur i drejtësisë nuk ka ende një vendim për çështjen.

Kreu i qeverisë theksoi se si individ i zhveshur nga përgjegjësitë që i kërkon zyra e kryeministrit ndan të njëjtat shqetësime, por shtoi se procesi po vijon dhe nëse do të merrej një vendim anulimi për kontratat do të ishte shkelje e ligjit.

“Shteti, qeveria, nuk vepron si gazetë, as në bazë të reagimit në dukje krejt të dukshëm individual. Si individ, jashtë kësaj zyre mendoj si ju. Por ligjërisht, kjo nuk bëhet dot sepse kemi të bëjmë me një proces që vazhdon. Jo me dënim përfundimtar të formës së prerë. Nëse bëjmë këtë që si reagim, ne shkelim ligjin…Nuk mundet dot qeveria të mbyllë kontrata bazuar në procese që nuk janë përfunduar.”