Nafta dhe benzina kanë pësuar një ulje të lehtë të çmimit këtë të martë pas vendimit të fundit të Bordit Kombëtar të Administrimit të Karburanteve në Shqipëri.
Sipas vendimit të Bordit të Transparencës, 1 litër naftë do të tregtohet për 237 lekë nga 245 lekë që ishte më parë. Për benzinën çmimi do të jetë 211 lekë për litër nga 218 lekë.
Ndërkohë gazi ka pësuar rritje të çmimit duke shkuar në 116 lekë për litër nga 110 lekë që ishte më parë.
Bordi i Transparencës i mbledhur në datë 29 mars 2022 vendosi çmimet e reja të shitjes së karburanteve me pakicë dhe shumicë për tregun vendas. Këto çmime reflektojnë ndryshimet që janë shfaqur në tregjet ndërkombëtare.
Çmimet e ndryshuara do të jenë të vlefshme deri më 31 mars me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të karbranteve dhe të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë i nënprodukteve të naftës është i detyruar të zbatojë vendimin e Bordit të Transparencës, në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë.
Edhe pse në vendin tone është ngritur nje komision per përcaktimin e çmimit te karburanteve, akoma nuk ka sjellë lehtësim për qytetarët. Kjo shihet në krahasim edhe me vendet e rajonit, ku vendi ynë kryeson me naftën e shtrenjtë.
