Bashkia Elbasan mban vetëm 1 premtim nga 4 të dhëna/ “Faktoje” prezanton raportin

Qendra Faktoje ka realizuar monitorimin e 15 bashkive të vendit, duke dalë në përfundimin se këto institutione kanë rritur transparencën duke i vënë në dispozicion publikut më shumë informacione online, por jo çdo vendim i kryetarëve të bashkisë është publikuar.

 Sipas raportit të monitorimit, në bashkitë e vendit nuk janë mbajtur të gjitha premtimet elektorale. Nga 65 premtime të bëra përpara publikut në të 15 bashkitë e monitoruara, vetëm 12 janë mbajtur plotësisht. 

Të vetmet bashki që kanë mbajtur dy premtime janë ajo e Shkodrës dhe e Lezhës. Rreth 50 për qind e premtimeve të bëra nga bashkitë apo titullarët e tyre nuk janë mbajtur dhe 30 për qind e tyre janë mbajtur pjesërisht.

Bashkia Elbasan nuk ka mbajtur dy premtimet e lidhura me monitorimin e ndotjes së qytetit dhe investimet në fshtain turistik të Gjinarit.  Rindërtimi i infrastrukturës së lagjeve të qytetit, cilësohet si premtim gjysmë i realizuar. 

Në disa prej lagjeve të qytetit janë bërë investime në infrastrukturë. Megjithatë, në disa lagje të tjera gjendja vazhdon të jete e keqe. Vizita në terren e ekipit të Faktoje ka vërtetuar  se në këto lagje nuk është investuar prej vitesh. 

Shtimi i parqeve dhe hapësirave të gjelbra është i vetmi premtim i mbajtur nga Bashkia Elbasan. Ky premtim lidhet me rikonstruktimin parkut qëndror të qytetit dhe kthimit të tij funksional, ndonëse për Parkun “Rinia” për median qytetarë janë shprehur të pakënaqur.