Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka mbërritur në ndërtesën e Apelit të Posaçëm së bashku me avokatin e tij, Maks Haxhia.
Tahiri mbërriti 30 minuta më herët se orari zyrtar i përcaktuar nga ana e gjykatës.
Ndërkohë që më herët është bërë publike dhe trupa gjykuese që do të shqyrtojë dosjen e Tahirit, e cila përbëhet nga gjyqtarja Irgerta Hysi, Daniela Shirka dhe Engert Pëllumbi. Vakanca u krijua pasi Ilirjana Olldashi kishte dhënë dorëheqjen.
Kur vendosi të rikthejë edhe njëherë për gjykim në Apel çështjen e ish-ministrit të Brendshëm, Gjykata e Lartë vendosi që këtë herë çështjen ta drejtojë një tjetër trupë gjykuese, duke miratuar kërkesën e avokatit të Tahirit, Maksim Haxhia.
Apeli e ktheu çështjen për rigjykim në shkallën e parë, me argumentin se kjo gjykatë kishte gabuar në rikualifikimin e akuzës nga “trafik i narkotikëve” në “shpërdorim detyre”.
Tahiri u vu nën shënjestrën e organeve të drejtësisë në tetor të vitit 2017, pasi autoritetet italiane goditën një grup të strukturuar kriminal në trafikun e marijuanës, që drejtohej nga vëllezërit Habilaj, të afërm të Tahirit.
Prokuroria e akuzoi Tahirin për trafik të narkotikëve dhe kërkoi arrestimin e tij, por shumica parlamentare socialiste e bllokoi kërkesën për arrestim dhe e sulmoi hetimin e prokurorisë si të njëanshëm.
Në shtator 2019, Tahiri u shpall i pafajshëm për akuzat e trafikut të narkotikëve dhe grupit të strukturuar kriminal, por u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 5 vjet burg për shpërdorim detyre, dënim i cili u konvertua me 3.4 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Në vendimin e arsyetuar të gjykatës në shtator të këtij viti, nuk rezultonte asnjë fakt që ta përfshijë ish-ministrin në trafikun e drogës dhe bashkëpunimin me grupin kriminal të Habilajve, kreu i të cilëve është Mojsi Habilaj, i gjykuar në Itali, por aktualisht në arrati, duke thyer në Katanias masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
