Kryeministri Rama deklaroi ditën e sotme, pas vaksinimit me dozën e tretë, se do të vijë një moment ku nënpunësit e pavaksinuar nuk do të lejohen të shkojnë në punë.
“Ju them të gjithë atyre që në radhë të parë janë nënpunës të vaksinohem sepse mund të vijë momenti që ndalohen të shkojnë në punë, po u ndaluan nuk do paguhen. Ju them të gjithë atyre që kanë të bëjnë me veprimtarinë e tyre me hap. Ju them të gjithë atyre që kanë dyqane të vaksinohen sepse do vijë momenti që dyqani mbyllet”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë tha gjithashtu se edhe ata që kanë biznese do të ndalohen t’i hapin nëse nuk janë imunizuar. Të njëjtën masë paralajmëroi edhe për çdo shtetas që futet në Shqipëri.
“Ato që janë të pavaksinuar përfundojnë në kthetrat e vdekjes dhe e gjithë familja i bie kokës me grushte. Ne po ndjekim me shumë vëmendje diskutimet me komitetin përkatës dhe duke parë se çfarë po ndodh përreth dhe do të vijë momenti që në Shqipëri nuk do të lejohen të pavaksinuarit. Kjo nuk është me detyrim por është ajo që po bën gjithë bota, ato që nuk duan që të vaksinohen nuk mund të kërcënojnë të tjetër. Studentët do të vaksinohen pasi nuk do të lejohen që të futen në universitet. Unë po flas për kartën e gjelbër të vaksinimit”, ka thënë Rama.
