3 orë “luftë” mes PD-së/ Zyra e Lulzim Bashës nuk i shpëton dhunës(Foto)

Ngjarja më e rëndësishme për ditën e sotme ishte protesta e organizuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, mbështetësit e të cilit dhunuan selinë blu.

Gjatë tre orëve “luftë” demokratët arritën të hynë vetëm në katin e parë, ndërkohë që nga mediat kombëtare bëhet me dije se as zyra e Bashës nuk i shpëtoi dhunës vandale.

Protestuesit janë ngjitur përmes një shkalle në katin e dytë të godinës së Partisë Demokratike, aty ku ndodhej kryedemokrati Lulzim Basha dhe anëtarë të tjerë të PD.

Por nga kati i dytë ka pasur goditje me sende të forta ndaj tyre. Megjithëse nuk janë lejuar të kalojnë në katin e dytë, mbështetësit e Berishës  kanë hedhur sende të forta drejt zyrës së Lulzim Bashës duke shkaktuar jo pak dëme.

Policia  është lajmëruar nga zyrtarë të PD kur dhuna po përshkallëzonte në nivele të larta vandalizmi.

Sali Berisha ka folur për herë të fundit për mediat në rrugicën përpara banesës së tij, duke njoftuar mbylljen e protestës për ditën e sotme. Ish-kryeministri u bëri thirrje protestuesve që të shpërndahen, ndërsa bëri me dije se protesta nuk do të mbarojë deri në arritjen e qëllimit.