Vullnetarizmi në Elbasan/ “Heronjtë e heshtur” nuk ndaluan as gjatë lockdown-it

Nga: Dallandyshe Xhaferri

“Ndonëse pandemia e bëri të vështirë kontaktin me njerëzit, sërisht në Elbasan shumë të rinj, të cilët unë i quaj ‘heronj të heshtur’, shërbyen vullnetarë duke u kujdesur për të moshuarit. Nuk mund të hynin brenda shtëpive të tyre, por gatuanin për ta dhe ua linin ushqimin në derë.”

Vitet ‘90 përveç ndryshimeve ekonomike dhe politike në vend sollën dhe ndryshimin e konceptit të vullnetrizmit në Shqipëri. Ndryshe nga periudha komuniste, ku vullnetarizmi në vetvete simbolizonte punë të detyruar, të propaganduar, gradualisht vullnetarizmi filloi të përcektohej si veprimtari e nxitur nga vullneti i lirë, pa pagesë.

Ilir Gjoni, njohës i mirë i vullnetarizmit në Elbasan, ka thënë për ElbasaniOn se numri i të rinjve elbasanas që janë të interesuar për të qenë vullnetarë është shumë i madh. Janë të rinjtë që trokasin e dyert e OJF-ve dhe shprehin dëshirën e tyre.

“Vendimi i qeverisë për kthimin e shkollave në qendra komunitare ka ndihmuar në rritjen e impaktit të të rinjëve për të qenë vullnetarë,”-është shprehur Gjoni.

“Në fshatrat e Elbasanit ka pasur shumë raste ku nxënësit ndihmonin njëri-tjetrin. Një grup nxënësish kanë mbledhur para për shoqen e tyre të sëmurë. Në ditë të veçanta të gjithë organizoheshin për të mbledhur ushqime, veshmbathje për të varfërit,”-ka shtuar ai.

Pavarësisht numrit jo të vogël të të rinjëve që shprehin dëshirën e tyre për të qenë vullnetarë, duket se ende midis universiteteve dhe OJF-ve shqiptare nuk është gjendur një mënyrë bashkëpunimi që do të mund të nxiste studentët të përfshiheshin në vullnetarizëm.

“Në qoftë se mes OJF-ve dhe universiteteve do të kishte një marrëveshje do të ndihmonte dhe nxiste shumë vullnetarimin në vend, por dhe studentëve do tu njihej shërbimi si vullnetar”.

“Për shembull, në Ditën Ndërkombëtare të Ndërgjegjësimit për Ushqimi, do të ishte më mirë të kishim sa më shumë vullnetarë, qoftë nga ata që shpërndajnë materialet profesionale, qoftë nga ata që u dërgojnë ushqim të varfërve”
Gjithashtu, Gjoni shtoi se ndonëse periudha e lockdown-it ishte e vështirë për të qenë në kontakt fizik me njerëzit, sërisht vullnetarët nuk ndaluan së ndihmuari të moshuarit.

“Ndonëse pandemia e bëri të vështirë kontaktin me njerëzit, sërisht në Elbasan shumë të rinj, të cilët unë i quaj ‘heronj të heshtur’ shërbyen vullnetarë duke u kujdesur për të moshuarit. Nuk mund të hynin brenda shtëpive të tyre, por gatuanin për ta dhe ua linin ushqimin në derë.”

Një nga problemet me të cilat po përballet vullnetarizmi në ditët e sotme lidhet me çalimin e zbatimit të ligjit. Nëse vullnetarizmi do të mund të merrej si një përvojë që krijon përparësi në sigurimin e një pozicioni pune, atëherë vullnetarët do të ndiheshin më të vlerësuar dhe do të nxiteshin për të dhënë kontributin e tyre në komunitet.
Ndërkohë, OJF-të që operojnë në Elbasan janë shprehur se askush nuk është konsultuar me ta për miratimin e ligjit 45 për vullnetarizmin.
Sipas këtij ligji, ofruesi i vullnetarizmit është i detyruar t’i japë personit vullnetar një kopje të kontratës së sigurimit të shëndetit dhe aksidenteve brenda 3 ditëve nga firmosja e kontratës së vullnetarizmit.
Ajo çka kërkohet nga OJF-të është krijimi i një tryeze të rrumbullakët ku ky ligj do të diskutohet nga vetë grupet e interesit dhe ndryshimi i tij.
Ndonëse në Elbasan ende nuk ka një databaze për numrin e vullnetarëve, sërisht gadishmëria e tyre në periudhën e pandemisë, rënien e tëmetit tregojnë se një numër jo i vogël i personave në karrierë, siç janë infermierët, inxhinierët që janë dhe vullnetarë ne të njëjtën kohë, nuk është i vogël.

Natrin Çoçka, student i Infiermerisë dhe vullnetar i qytetit të Elbasanit është shprehur se për të më shumë se kënaqësi dhe eksperiencë jetësore, vullnetarizmi ka ndikuar pozitivisht në krijimin e personalitetit të tij.
“Marrja pjesë në fushatat e sensibilizimit për figurën e gruas në shoqëri, pastrimin e ambientit të përbashkët në komunitet, si dhe dhurimi i gjakut, më ka bërë më të afërt me njerëzit dhe gjithashtu më të përgjegjshëm për rolin tim në komunitet,”- është shprehur Çoçka.

Realizimi i vitit shkollor online, sipas Çoçkës, ka ndikuar negativisht në realizimin e praktikave të studentëve të infiermerisë dhe ka qenë pikërisht shërbimi si vullnetar që i ka bërë studentët më epatikë dhe i ka mundësuar përditësimin me teknologjinë.
“Dhurimi i gjakut, përdorimi i aparaturave të fundit na ka ndihmuar të gjithëve nga ana profesionale. Vullnetarizmi është më shumë se sa një pako e ndihmës ushqimore. Për mendimi tim të jesh vullnetar do të thotë të jesh qytetar aktiv, të kuptosh se një ndihmë e vogël për dikë është shpresë”,-mbylli fjalën e tij Çoçka.