Një vatër zjarri me përmasa të mëdha ka përfshirë në orët e para të mëngjesit të sotëm një repart për përpunimin e baterive në qytetin e Elbasanit, duke shkaktuar momente paniku dhe alarmi te bizneset e zonës. Flakët kanë shpërthyer brenda objektit dhe janë përhapur me shpejtësi të rrufeshme, të favorizuara edhe nga materialet lehtësisht të djegshme që ndodheshin në ambientet e brendshme.
Pas sinjalizimit të situatës, në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat zjarrfikëse me 4 mjete dhe 15 efektivë. Operacioni për vënien nën kontroll të flakëve ka qenë mjaft i vështirë për shkak të tymit të dendur dhe rrezikut të lartë që paraqisnin materialet kimike, por ndërhyrja e shpejtë e koordinuar bëri të mundur lokalizimin e vatrës dhe shmangien e përhapjes së zjarrit në repartet e tjera kufitare.
Nga ky incident fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme dhe mbeten ende në proces vlerësimi. Burime paraprake dyshojnë se shkak i zjarrit ka qenë një rrjedhje gazi nga një depozitë e vendosur brenda fabrikës, megjithatë policia dhe grupi hetimor po vijojnë ekspertizën teknike për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.













