Policia e Elbasanit ka vendosur në pranga shtetasin Agron Zdrava, i cili është kapur në flagrancë me një sasi lëndësh narkotike gati për shitje, 4 armë zjarri dhe një sasi fishekësh.
Njoftimi i plotë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Deshiran”.
Operacioni i zhvilluar nga Forca e Posaçme “Shqiponja” në DVP Elbasan, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Cërrik.
Sekuestrohen 4 armë zjarri, municion luftarak dhe lëndë narkotike kanabis.
Arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre.
Në vijim të kontrolleve të pandërprera të territorit, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, Forca e Posaçme “Shqiponja” në DVP Elbasan, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Cërrik, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, kanë mirorganizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Deshiran”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:
Agron Zdrava, 44 vjeç, banues në fshatin Deshiran, Belsh.
Gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 4 armë zjarri, një sasi fishekësh dhe lëndë narkotike kanabis gati për shitje. Gjithashtu, në ambientet e jashtme të banesës u gjetën të kultivuar fidanë narkotikë cannabis sativa.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.