Ministrja Kushi ka qenë në Elbasan ku ka vëzhguar ecurinë e mësimit plotësues në shkollën 9-vjeçare “Bardhyl Popa”.
Ajo është njohur me zbatimin e masave anti-COVID, procesin e shpërndarjes së librave falas, zhvillimin e aktiviteteve kulturore-sportive, si dhe futjen e lëndës së anglishtes që në klasë të parë.
Kushi gjatë vizitës së saj në këtë shkollë ka nënvizuar se pjesëmarrja e nxënësve në mësimin plotësues duket shumë e kënaqshme, gati-gati si mësim normal. Ajo ka përgëzuar mësuesit për punën intensive për të ndihmuar për një fillim sa më të mirë të këtij viti shkollor, ndërkohë që ka kërkuar nga të gjithë mësuesit dhe drejtuesit e institucioneve arsimore që të vijojnë me këtë ritëm të lartë pune.