Kërcënim me vdekje, dhunë fizike dhe seksuale ndaj shkencëtarëve që kanë folur për Covid-19

Sipas raportit të revistës shkencore “Nature” ,shkencëtarët që kanë folur rreth Covid-19 dhe vaksinave në media janë kërcënuar me jetën e tyre dhe të familjarëve.
Raporti përfshiu 321 shkencëtarë nga vende të ndryshme (Australi, Britani, Gjermani, Kanada, Brazil, Zelandë e Re, Tajvan, etj.), nga të cilët 15% raportuan se ata ose familja e tyre u kërcënuan me vdekje kundër 22% që u kërcënuan me dhunë fizike ose seksuale, ndonjëherë edhe përmes telefonatave në shtëpi, ndërsa të tjerët janë kërcënuar me email ose komente dhe postime në rrjetet e ndryshme sociale.
Ndoshta më i njohuri është rasti i Anthony Fauci, këshilltarit kryesor amerikan për pandeminë, i cili u detyrua të punësonte truproja, pas kërcënimeve të vazhdueshme me vdekje kundër tij dhe familjes së tij. Në Gjermani, “zëri shkencor” më i famshëm për koronavirusin, virologu Christian Drosten, mori kërcënime në një shishe me lëng në të cilën shkruhej”pozitiv” dhe një shënim që i kërkonte ta pinte atë. Në Belgjikë, virologu Mark Van Ranst dhe familja e tij u dërguan nga policia në një strehë të sigurt kur një snajperist nisi një “gjueti” për virologët.
Më shumë se 25% e shkencëtarëve raportuan se kanë marrë kërcënime nga mediat sociale. Të paktën gjashtë shkencëtarë janë sulmuar fizikisht. Pothuajse 60% e shkencëtarëve janë kritikuar për besueshmërinë e tyre. Mbi 40% thanë se ndiheshin të ngarkuar emocionalisht ose psikologjikisht, ndërsa 30% thanë se reputacioni i tyre kishte rënë.
Sa më shpesh, ata të binin viktima të sulmeve të tilla verbale në internet, aq më shumë kishte gjasa që shkencëtarët të ishin më pak të prirur për të folur me mediat sociale për koronavirusin, vaksinat, etj. Kjo është shqetësuese duke pasur parasysh dezinformatat pseudo-shkencore tashmë të përhapura rreth koronavirusit dhe vaksinave.
Sidoqoftë, 85% e shkencëtarëve thanë se përvojat e tyre me mediat gjatë pandemisë ishin “kryesisht” pozitive.