Ndihmës Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar ka mbërritur pasditen e sotme në Kryeministri, për t’u takuar me kryeministrin Edi Rama, takimi i tretë dhe i fundit në vizitën e tij zyrtare në Tiranë të mbajtur ditën e sotme.
Gabriel Escobar zhvilloi një vizitë ditën e sotme në Shqipëri, ku parashikonte vetëm 3 takime gjithsej. Takimi i parë u mbajt në Selinë Blu me kreun e opozitës, Lulzim Basha, ku e pranishme ishte dhe Ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim.
Në këtë takim, siç mësoi Fax News, Gabriel Escobar ka folur me Bashën dhe për shpalljen non-grata të ish-Kryeministrit Sali Berisha, duke theksuar se është çmenduri të thuash që dosja është hartuar nga George Soros.
Gabriel Escobar mësohet të ketë thënë në takimin me Bashën se të tjerë politikanë shqiptarë, por edhe biznesmenë do të shpallen së shpejti non-grata.
Pas Bashës, ai u takua në Ministrinë e Jashtme me Ministren Olta Xhaçka. Takimin e zbardhi në Facebook vetë ministrja, duke u shprehur se ka vënë theksin te angazhimi i Shqipërisë për stabilitet në rajon.
