Zbulohet skema e falimentit: Mashtrim me miliona lekë në Elbasan; Arrestime dhe sekuestrim i 12 llogarive bankare

Elbasan, 4 qershor 2025 – Një operacion policor i koduar “Bankrupt” ka zbuluar një skemë mashtrimi me miliona lekë në Elbasan, ku katër persona janë arrestuar dhe janë sekuestruar 12 llogari bankare. Hetimet zbuluan se shtetasit e arrestuar kishin çuar në falimentim me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore shtatë fasoneri.

Njëri prej të ndaluarve është shtetasi italian Giuseppe Lamachia, i cili u kap në Pikën Kufitare të Rinasit, në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria. Ndër të arrestuarit janë edhe administratorë të subjekteve përkatëse. Gjithashtu, është vendosur sekuestro konservative mbi 7 fasoneri dhe 12 llogari bankare.

Elbasan/Finalizohet operacioni policor i koduar “Bankrupt”.

Çuan me dashje në falimentim, 7 fasoneri, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore, ekzekutohen masa sigurie për 4 shtetas. Njëri nga të akuzuarit, shtetas italian, u kap në PKK Rinas, në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria.

Gjithashtu, vihet sekuestro konservative mbi 7 subjektet dhe 12 llogari bankare të tyre.

Në kuadër të operacionit “Bankrupt”, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare i DVP Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë, ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Elbasanit, dhënë më datë 02.06.2025, për: -caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, për: shtetasin A. K., 40 vjeç, i cili u kap nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, Tiranë; shtetasin italian G. L., 60 vjeç, i cili u kap në PKK Rinas, në dalje të Shqipërisë; shtetasen Z. K., 27 vjeçe, të tre me detyrë administratorë subjektesh; -caktimin e masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shtetasen E. S., 31 vjeçe, me profesion ekonomiste, të katërt për veprat penale “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Falimentimi i provokuar”, “Mashtrimi”, “Shpërdorimi i kompetencave” dhe “Fshehja e të ardhurave”; -vënien e sekuestros preventive mbi 7 subjekte (fasoneri) dhe 12 llogari bankare të tyre.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas kanë bashkëpunuar për çuarjen në gjendje falimenti, 7 fasoneri, për të shmangur taksat dhe tatimet.

Vijojnë hetime për të identifikuar dhe nxjerrë para përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Elbasanit, për veprime të mëtejshme.