Të përdorësh çdo mjet për të “kërcënuar” qytetarët

Banorët e qarkut të Elbasanit duhet të vendosin të lirë për administratorin e bashkisë përkatëse. Fakti që Kryeministri kërcënon se me bashkitë që do të fitojë opozita nuk do të ketë asnjë bashkëpunim tregon nivelin dhe dobësinë e madhe që ka arritur pushteti në marrëdhënie me qytetarët. Kështu qytetarët nuk janë të lirë të zgjedhin pasi kanë dëgjuar dhe vlerësuar alternativat por janë të intimiduar, nën presion dhe madje do të jenë nesër “fajtorët” në rastin se opozita do të fitojë ndonjë bashki sipas Kryeministrit. Kjo lloj qasjeje është një minim i demokracisë. Demokraci do të thotë pushtet i popullit. Nëse një kryeministër arrin deri aty sa kërcënon qytetarët se nëse votojnë dhe besojnë tek alternativa e opozitës do të mbeten pa mbështetje, është mundësia më e mirë për ti treguar se ai nuk ka gjithmonë të drejtë, se pushteti të konsumon, se zgjedhja e administratorit të qytetit nuk është zgjedhje e një politike të caktuar, është zgjedhje e njeriut që banorët e një bashkie vendosin ti besojnë administrimin e të ardhurave dhe prioriteteve të tyre në zhvillimin e qytetit.
Nëse fillojmë të diskutojmë për rolin e deputetëve tanë të majtë ku edhe vendi ka qeverisjen, atëherë duhet të shikojmë rezultatet që kanë sjellë.
Pra, cili nga deputetët ka ngritur qoftë edhe një lobim për një investim në qytetin e Elbasanit? A e keni dëgjuar ju që Damian Gjiknuri, meqë tashmë është edhe drejtuesi politik i PS të jetë ngritur në parlament dhe të ketë kërkuar mbështetje për Elbasanin? Unë, jo.
Unë nuk gjej asnjë emër që ka kontribuar nëpërmjet lobimit të tij në parlament që bashkia filan në qarkun e Elbasanit të ketë një investim prioritar për të cilin ka nevojë, ose është miratuar një ligj që i shërben shtresave në nevojë që targetojnë pikërisht problematikat e mëdha ekonomike që reflekton.
Investimet rrallë herë kanë qenë prioritetet e vërteta të qytetit, që për fat të keq ka rënë në një gjendje dorëzimi dhe që shikon si mundësinë e vetme emigracionin.
Cila ka qenë politika që kanë mbështetur këta deputetë për rininë?
Unë nuk gjej asnjë politikë konkrete që ka dhënë një efekt te të rinjtë. Edhe praktikat e punës në institucione kanë nepotizmin, praktikat korruptive për rekrutimin e të rinjve që vazhdojnë këto praktika pune dhe që më pas punësohen nga administrata.
Unë nuk kam dëgjuar këto tri vite qofte një deklaratë të kryetarit aktual të bashkisë Elbasan që të kërkojë një investim të caktuar nga qeveria që i nevojitet me emergjencë Elbasanit si për shembull ndërtimi i shkollave.
Qysh nga koha e tërmetit shkolla në Tregan vazhdon të jetë jasht funksioni në pritje të ndërtimit…Deputetët tanë socialistë që dalin në fushatë duhet të japin llogari pikërisht për këto investime të munguara dhe mungesën e lobimit sepse fjalët e fushatës janë fjalë që i merr era sapo mbarojnë zgjedhjet.