Nga Entela Duka
Nëse ka një rrugë, ku shprehja ‘rrugë e mbetur rrugëve’, gjen kuptim, kjo shprehje i takon pikërisht aksit Qukës – Qafë Plloçë,në Bashkinë e Prrenjasit. Ky aks u projektua në vitin 2009 dhe sot pas 14 vitesh ende nuk ka përfunduar. Të indinjuar me premtimet boshe banorët u ngritën në protestë.Të rritur e fëmijë kërkojnë rrugën.Ata thonë se e kanë të pamundur të dalin nga shtëpia pasi në verë ndoten ndërsa në dimër fundosen në baltë. Disa herë ministrat e Infrastrukturës dhe Energjisë, përfshirë Damian Gjiknurin u kanë premtuan funksionalitetin e këtij aksi, por këto pamje tregojnë të kundërtën. Banorët të vendosur paralajmëruan protesta deri në rinisjen e punimeve. Madje paralajmërojnë se as fëmijët nuk do ti dërgojnë në shkollë.
Qukës – Qafë Plloçë, aks me dy korsi, i gjatë 43.5 km, që ishte menduar të afronte më shpejt juglindjen e vendit, qytetin e Korçës me kryeqendrën e vendit duket se një dekadë e gjysëm më pas ka mbetur në vendnumëro. Madje disa herë qeveria ka marrë kredi për këtë rrugë, por kurrë nuk e përfundoi.Bashkia Prrenjas bën me dije se e ka të pamundur të investojë ,pasi thotë se nuk ka fonde të mjaftueshme.
