Nga robotët në shtëpi te AI në çdo biznes, 10 parashikimet teknologjike për vitin 2035

Inteligjenca artificiale pritet të kalojë gjatë dekadës së ardhshme nga chatbot-et dhe asistentët që njohim sot në sisteme të afta të veprojnë, të bashkëpunojnë dhe të marrin vendime në botën digjitale dhe fizike. Ky është vizioni që kompania Huawei paraqet në raportin “Intelligent World 2035”, ku identifikohen 10 zhvillime teknologjike që kompania parashikon se do të formësojnë dekadën e ardhshme.

Raporti është hartuar pas më shumë se 200 workshop-eve dhe konsultimeve me mbi 100 ekspertë, studiues, klientë dhe partnerë. Në hartimin e tij janë përdorur edhe të dhëna e metodologji nga institucione ndërkombëtare si OKB-ja dhe Forumi Ekonomik Botëror.

1. AI do të hyjë në botën fizike, hapi drejt AGI-së
Huawei parashikon se zhvillimi i ardhshëm nuk do të kufizohet te modele si ChatGPT apo DeepSeek. AI duhet të jetë në gjendje të perceptojë mjedisin, të kuptojë situatat, të marrë vendime dhe më pas të veprojë në botën fizike.

Raporti e quan këtë “going physical” dhe e konsideron një nga rrugët thelbësore drejt AGI-së – inteligjencës artificiale të përgjithshme, një sistem që teorikisht do të mund të kryente një gamë shumë të gjerë detyrash intelektuale.

2. Agjentët AI do të shndërrohen në partnerë vendimmarrës
Ndryshimi tjetër i madh pritet të jetë kalimi nga chatbot-et te agjentët AI. Në vend që njeriu t’i japë sistemit çdo komandë veçmas, një agjent mund të marrë një objektiv, të analizojë çfarë duhet bërë, të përdorë mjete dhe shërbime të ndryshme dhe të realizojë disa hapa për të përfunduar detyrën.

Sipas raportit, gjatë dhjetë viteve të ardhshme këto sisteme mund të evoluojnë nga mjete të thjeshta ekzekutimi në partnerë vendimmarrës, duke ndryshuar mënyrën e funksionimit të kompanive dhe industrive.

3. Programimi do të ndryshojë: njeriu projekton, AI ekzekuton
Parashikohet një ndryshim të madh edhe në zhvillimin e software-it. Programuesit do të përqendrohen më shumë te arkitektura e sistemeve, zgjidhja e problemeve dhe inovacioni, ndërsa agjentët AI do të marrin përsipër një pjesë më të madhe të kodimit dhe ekzekutimit të detyrave.

Ndërveprimi me kompjuterin pritet gjithashtu të kalojë gjithnjë e më shumë te gjuha natyrore, duke e bërë të mundur që përdoruesi të shpjegojë atë që kërkon dhe sistemi të realizojë pjesën teknike.

4. Zëri, gjestet dhe AI mund të ndryshojnë mënyrën si përdorim pajisjet
Raporti parashikon një largim gradual nga ndërfaqet tradicionale të bazuara vetëm te ekrani, tastiera dhe prekja.

AI pritet të kuptojë njëkohësisht tekstin, zërin, imazhet dhe forma të tjera informacioni. Ndërveprimi me pajisjet mund të bëhet përmes gjuhës së folur, gjesteve dhe sistemeve multimodale.

5. Aplikacionet mund t’ua lënë vendin agjentëve AI
Një tjetër ndryshim mund të prekë mënyrën se si përdorim telefonat. Sot përdoruesi hap aplikacione të ndryshme për mesazhe, udhëtime, pagesa apo shërbime të tjera. Aplikacionet mund të shndërrohen gjithnjë e më shumë në nyje shërbimesh që thirren nga agjentët AI.

Përdoruesi do të shprehë atë që dëshiron të realizojë, ndërsa agjenti do të koordinojë aplikacionet dhe shërbimet e nevojshme në sfond. Raporti e përshkruan këtë si një ekosistem me bashkëpunim mes shumë agjentëve.

6. AI do të marrë “trup”: robotë dhe automjete autonome
Një nga fushat më të rëndësishme është inteligjenca artificiale e integruar në pajisje fizike.

Kjo përfshin robotë, makina autonome dhe sisteme të tjera që kombinojnë AI me sensorë, komunikim, fuqi kompjuterike dhe mekanizma fizikë.

Parashikohet se përparimet në të ashtuquajturat “world models” mund të ndihmojnë në zhvillimin e automjeteve autonome të nivelit 4 ose më të lartë.

Raporti shkon edhe më tej për jetën në shtëpi: sipas skenarit të tij, mbi 90% e familjeve në Kinë mund të kenë robotë inteligjentë deri në vitin 2035.

7. Fuqia kompjuterike mund të rritet 100 mijë herë
Zhvillimi i AI kërkon sasi gjithnjë e më të mëdha fuqie kompjuterike. Huawei parashikon që deri në vitin 2035 kapaciteti global kompjuterik mund të jetë 100,000 herë më i madh se në vitin 2025.

Sipas raportit, një rritje e tillë nuk mund të mbështetet vetëm te teknologjia tradicionale. Industria do të duhet të kërkojë alternativa përtej arkitekturës klasike von Neumann, me ndryshime në materialet gjysmëpërçuese, çipat, arkitekturën e sistemeve dhe mënyrat e reja të llogaritjes.

8. Kërkesa për ruajtjen e të dhënave të AI mund të rritet 500 herë
Nëse AI zgjerohet në çdo sektor, edhe sasia e të dhënave që duhet të ruhet dhe përpunohet do të rritet ndjeshëm.

Huawei parashikon që kërkesa për AI storage mund të jetë 500 herë më e madhe në 2035 sesa në 2025. Sipas skenarit të raportit, ruajtja e të dhënave të lidhura me AI mund të përbëjë mbi 70% të kapacitetit të përgjithshëm global të storage-it.

9. 9 miliardë njerëz dhe 900 miliardë agjentë AI
Ky është një nga parashikimet më të forta të raportit. Huawei projekton se në vitin 2035 rreth 9 miliardë njerëz mund të shërbehen nga 900 miliardë agjentë AI.

Kjo do të thotë teorikisht rreth 100 agjentë për çdo njeri. Rrjetet aktuale të internetit nuk janë projektuar për një numër kaq të madh sistemesh autonome që komunikojnë vazhdimisht. Për këtë arsye parashikohet lindja e një “Agentic Internet”, një internet ku krahas njerëzve dhe pajisjeve do të komunikojnë në shkallë masive edhe agjentët AI.

10. AI do të kërkojë shumë më tepër energji
Revolucioni i AI ka edhe një kosto të madhe energjetike. Huawei vlerëson se deri në vitin 2035 qendrat e të dhënave në botë mund të konsumojnë rreth 1.5 trilion kilovat-orë energji elektrike në vit.

Në të njëjtën kohë, vetë AI mund të përdoret për të optimizuar prodhimin, shpërndarjen dhe konsumin e energjisë në kohë reale. Raporti projekton gjithashtu që energjia diellore dhe ajo e erës mund të përbëjnë së bashku rreth 50% të miksit global të energjisë në vitin 2035.

Deri në vitin 2035 AI mund të përdoret nga mbi 85% e kompanive, ndërsa sistemet e bazuara në AI mund të rrisin produktivitetin deri në 60%, sipas skenarëve të raportit.

Në shëndetësi, raporti parashikon përdorimin e AI për monitorim dhe parandalim më të hershëm të sëmundjeve; në arsim, sisteme që përshtatin mësimin sipas nxënësit; ndërsa në prodhim, financë, energji dhe logjistikë, agjentët AI pritet të marrin një rol gjithnjë e më të madh në analizë dhe vendimmarrje.

Raporti nënvizon njëkohësisht se kjo e ardhme sjell probleme që nuk zgjidhen vetëm me teknologji: privatësinë e të dhënave, drejtësinë e algoritmeve, ndryshimet në tregun e punës, sigurinë dhe kufijtë etikë të AI-së. Për këtë arsye, dokumenti argumenton se zhvillimi teknologjik duhet të shoqërohet me rregullim, transparencë dhe standarde të përbashkëta.