Në ditën e 112-të të protestës qytetare para godinës së Kryeministrisë, aktivistja Luçiana Kokaj bëri thirrje që qytetarët të bashkohen masivisht deri në largimin e qeverisë Rama.
“Sot vijon rezistenca e shqiptarëve dhe atyre që duan Shqipëri të lirë. Pavarësisht propagandës së qeverisë dhe tendencës për ta shuar protestën, nuk ia kanë dalë. Unë sonte si banore e Rrjollit kam një mesazh për oligarkun. Kur të promovosh resortin, tregohu i sinqertë me agjentët imobilarë dhe mos iu thuaj që e ke zgjidhur problemin me pronarët. Thuaji të vërtetën që ju jeni në gjykatë me pronarët, që çështja po trajtohet në gjykata të Shkodrës dhe Tiranës. Për të gjithë shqiptarët që duan të investojnë, bëni kujdes ku hidhni paratë. Banorët e Rrjollit nuk kanë hequr dorë nga të drejtat e tyre. Aty nëse do zhvillohet, do duhet të zhvillohet duke u respektuar natyra”, tha ajo.
Ndërsa aktivisti Mirjan Aliaj bëri thirrje për protestë më 8 tetor, ditën kur pritet të votohet në Kuvend harta e re territoriale e propozuar nga qeveria.
Gjatë fjalës së tij, Aliaj u bëri apel qytetarëve që të mblidhen para Kuvendit nëse propozimi i qeverisë nuk ndryshon.
Sipas aktivistit, çështja po tentohet të kalojë në heshtje, ndërsa ai e cilësoi publikimin e përgjimeve si një “këmbanë alarmi” për qytetarët.
“Në datën 8 tetor pritet të votohet harta e re territoriale që qeveria e Ramës ka propozuar. I bëj thirrje çdo qytetari, që në datën 8 tetor nëse plani qeverisë nuk ndryshon, të mblidhemi para Kuvendit të Republikës që të mos e lejojmë Ramën të shkrijë bashkitë. I bëj thirrje të gjitha bashkive të vogla që janë pjesë e këtij plani, që në datën 8 tetor jemi në Kuvendin e Republikës dhe të mos i lejojmë këta deputetë që veprojnë kundër vullnetit popullor të mos e ndryshojnë hartën”, tha mes të tjerash aktivisti Mirjan Aliaj




