Dy turiste nga Suedia, që kishin mbërritur në Tiranë në 4 shtator 2026, pretendojnë se janë abuzuar seksualisht nga 5 djem, të cilët i kanë ftuar vetë në banesën e tyre të marrë me qira përmes sistemit “AirBNB” në kryeqytet.
Turistet kanë argumentuar në kallëzimin e tyre se abuzimi seksual ka ndodhur mes datës 5 dhe 6 shtator 2026 në Tiranë. Por siç mëson gazetari Elton Qyno, kallëzimin penal e kanë depozituar pas 3 ditësh në Policinë e Durrësit, qytet në të cilin kishin shkuar për të pushuar.
Kallëzimi i tyre më pas është transferuar nga Durrësi në komisariatin nr.3 në Tiranë, oficerët e të cilit kanë nisur verifikimin e pretendimeve të dy turisteve dhe identifikimin e 5 meshkujve që dyshohet se kanë përdhunuar turistet.
Sipas dosjes së policisë, mësohet se dy shtetaset me inicialet S.M dhe M.J, kanë mbërritur në Shqipërisë përmes aeroportit “Nënë Tereza”. Ato janë vendosur për rreth dy ditë në një banesë me qira ditore të marrë në Tiranë.
Në mesnatën e 5 shtatorit, dy turistet kanë dalë në Tiranë për të ngrënë ushqim. Sipas rrëfimit të tyre, në vendin ku kanë qëndruar për të ngrënë ushqim,janë njohur me dy djem, të cilët shërbenin si shpërndarës ushqimi me motor në Tiranë.
Për shkak të bisedës dhe njohjes që kanë bërë me ta, dy turistet i kanë ftuar në banesën e marrë me qira për të pirë diçka. Sipas tyre, dy djemtë që i kishin ftuar, morën me vete dhe një shokun e tyre.
“…kemi shkuar në shtëpi dhe jemi ulur të gjithë në kolltukun e kuzhinës. Ne i kemi shërbyer djemve me disa pije dhe jemi ulur së bashku me ta,duke biseduar. Por njëri nga djemtë ka filluar ta ngacmojë me duar shoqen time dhe më pas ta puthë. Unë e kam marrë shoqen për dore dhe së bashku kemi hyrë në tualetin e shtëpisë, duke i thënë se mos vallë bëmë gabim që i kemi ftuar në shtëpi ata djem…”- ka treguar njëra nga shtetaset suedeze.
Por ato kanë dalë nga tualeti dhe i janë bashkuar sërish 3 djemve. Njëra prej suedezeve ka treguar se nuk mban shumë mend se çfarë ka ndodhur me të atë natë, pasi ka qenë e dehur dhe e përgjumur. Por në kallëzim ajo kujton se ka parë shoqen e saj të shtrirë në dhomën e gjumit, me njërin nga djemtë që po abuzonte seksualisht me të.
Mirëpo kjo histori nuk ka mbaruar këtu.
Teksa 3 djemtë janë larguar, dy turistet kanë qëndruar përgjatë gjithë ditën dhe natës në gjumë. Ato janë zgjuar në mesnatën e datës 6 shtator dhe të dyja së bashku kanë dalë në Tiranë për të konsumuar ushqim “Hot-Dog”.
Rrugës kur po ktheheshin në shtëpi në mesnatë, dy turistet kanë njohur dy djem dhe kanë hyrë në bisedë me ta. Dy vajzat kanë pohuar se i kanë ftuar miqësisht në shtëpi dhe sërish gjatë mesnatës dy djemtë sipas tyre, kanë abuzuar seksualisht me to.
Ditën tjetër dy turistet suedeze janë larguar nga Tiranë në qytetin e Durrësit.
Pas 3 ditësh turistet kanë shkuar në ambientet e Policisë së Durrësit, duke depozituar kallëzim penal ndaj 5 djemve shqiptarë, të cilët i kanë akuzuar për veprën penale të “Kryerjes pa dëshirë të marrëdhënieve seksuale me persona të rritur”.
Duke qenë se krimi i dyshuar është kryer në Tiranë, Policia e Durrësit këtë kallëzim të bërë nga dy turistet suedeze, ia kanë dërguar Policisë së Tiranës dhe më konkretisht komisariatit nr.3 në kryeqytet.
Tashmë oficerët e këtij komisariati kanë nisur hetimet për lokalizimin dhe gjetjen e 5 djemve që dyshohet se kanë abuzuar seksualisht me 2 turistet nga Suedia. Ndërkohë për rastin në fjalë, interes për hetimin ka shfaqur dhe Ambasada Suedeze në Tiranë./Syri.net




