Një ngjarje që mund të cilësohet si një mrekulli ka ndodhur në Bulqizë, ku një 27-vjeçar është gjetur me shenja jete brenda një automjeti të aksidentuar, dy ditë pasi kishte humbur kontaktet me familjarët.
I riu u zbulua sot pranë urës së Çeranecit, në aksin Bulqizë–Peshkopi, nga disa fëmijë që po laheshin në zonë dhe më pas njoftuan banorët. Këta të fundit njoftuan shërbimin e urgjencës, duke bërë të mundur transportimin e 27-vjeçarit në spitalin e Bulqizës, ku ai po merr ndihmë mjekësore.
Sipas të dhënave paraprake, i riu dyshohet se ka pësuar aksident dy ditë më parë, kur makina e tij ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në zall. Ai është identifikuar si banor me origjinë nga Maqellara, dhe ishte shpallur në kërkim nga familjarët prej tre ditësh.
Policia dhe autoritetet po punojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes. Gjendja shëndetësore e të riut raportohen të jetë jashtë rrezikut për jetën.
