Njerëzit, të cilët janë përcaktuar në fushën e letërsisë, por, edhe ata të cilët pavarësisht profesionit, nuk mund ta lënë anash leximin si pasion, nuk mund të mos e kenë dëgjuar emrin e Migjenit, të ashtuquajturin “poet i mjerimit” dhe temën e ndaluar, të cilën, ai e trajtoi për herë të parë në letërsinë shqipe, pavarësisht kohës dhe rrethanave politike të dëmshme dhe mbytëse të viteve ’30-ta. Sa herë që kujtohet ky autor i veçantë i botës së letrave shqipe, menjëherë shkon në mend Luli me tullumbacet e tij, shpresa e të cilit, nuk mund të varej në asnjë njeri; dhe Zeneli me botën e tij fëmijërore, në një vend që ia mbyste ëndrrat, dhe ndjenjat ia bënte të fjetura.
Përpos dy personazheve të lartpërmendur, ajo që shkakton dhimbje të madhe për lexuesit e Migjenit, është femra dhe paraqitja e jetës së saj në rastet më të tmerrshme e më të turpshme të dhëna si asnjëherë më parë.
Ndër të tjera, aty gjendet historia e Lilushes, vajzës që realizoi incestin me djalin e tezes së vet, veprim ky i cili, bashkë me homoseksualitetin, të krijuara fshehtas, paraqesin çoroditjet e shoqërisë shqiptare të kohës. Me këtë, në të njëjtën kohë, pohohet prania e motivit të incestit edhe në letërsinë shqipe, motiv ky të cilin, në botën e letrave të huaja e trajtoi edhe Markezi, themeluesi i realizmit magjik (letërsia latino-amerikane), në veprën e tij të pavdekshme letrare “Njëqind vjet vetmi”.
Në të njëjtën rrugë të dhembjeve dhe humbjeve të mëdha të moralit e dinjitetit, ai e dha ecjen e gruas shqiptare të kohës, e cila, vetëm që ta shpëtonte fëmijën, e shiste trupin dhe shpirtin, veprim ky që përpos humbjes së nderit, ia sillte edhe humbjen e familjes (burrin dhe djalin). Nuk mbetet anash as edhe Lukja, “femra publike”, roli i së cilës (roli i prostitutes) ia paraqiste fatin e ndërlidhur me rrethanat shoqërore, në një kohë kur burri ia harxhonte paratë, e gënjente, e degdiste në skaje merimangash dhe ia prishte ëndrrat e pakta për jetën. Për të siguruar kafshatën e gojës ajo e shiste trupin, por, ajo që është më e keqja, secili hap e dërgonte në çmenduri të vetes.
Kur dëgjohen këto fate të personazheve në letërsinë shqipe, menjëherë, në të njëjtën kohë shkon në mend edhe bota e letrave të huaja, në të cilat, fat të hidhur dhe të padëshiruar ka edhe femra e tyre, e cila, përpos që tradhtohet, vritet, braktiset, lëndohet, çnderohet, keqtrajtohet si rrallë ndonjëherë, në të njëjtën kohë, bëhet edhe aktore e marrëdhënieve të ndaluara erotike. Kur flitet mbi rastet e fundit, vëmendja kryesore është te “Lolita” e V. Nabokovit, e cila ndonëse i përket një letërsie tjetër, në gjithë botën, personifikon vajzat e rritura para kohe, të cilat, me dhunë ose me qejf kryejnë marrëdhënie të ndaluara.
Kohët e fundit rastet e tilla janë të pranishme edhe në botën shqiptare. Të tillat përpos që paraqesin shpërfilljen e ligjit të të parëve dhe atij kanunor, se femra duhet të mbrohet, njëherë, japin edhe mbytjen e botës së ëndrrave femërore. Dita-ditës, të këqijat që ndodhin mbi botën dhe trupin e ndjeshëm të femrës, nuk tregojnë asgjë tjetër pos se, një vajze te re i është shkatërruar jeta, i janë vrarë ëndrrat e pakta, i janë thyer shpresat, i është fëlliqur emri ose, edhe i është prerë jeta (pra, pas çasteve kur ajo merr emrin Lolitë dhe e bën botën të vuan bashkë me të).
Nëse për të gjitha këto raste deri më sot nuk ka askush përgjegjësi dhe nuk del një që botën e femrave ta bëjë më të bukur, së paku nga sot duhet të bëhet çmos për të mirën e saj. Të mos lejohet që ende të shtohet numri i Lolitave në botën shqiptare, sepse me hapa të tillë, përveç se në ferrin dantesk, vetja nuk drejtohet askund tjetër. Më e mira do të ishte që në vend të Lolitave, Lukeve e Lilusheve, bota shqiptare të mbushet me emrat e femrave të forta e që historia i njeh si të pathyeshme. Për një femër, është e domosdoshme diçka e tillë.
Adelina Xhaferi