Ka ndërruar jetë në spital, Gazment Kurmaku, kryekamarieri i Fish City, i cili u qëllua me thikë, pak ditë më parë nga një klient. Kurmaku nuk ka mundur dot t’i mbijetojë plagëve. Lajmi është konfirmuar nga vetë restoranti, përmes një postimi në facebook.
Kujtojmë se Kurmaku u qëllua me thikë nga klienti Erjon Llapushi. Sipas JOQ, gjithçka ndodhi, pasi Llapushi kishte shkuar në lokal dhe ishte ulur në një tavolinë të rezervuar. Këtu kishte nisur i gjithë debati, i cili çoi në këtë ngjarje tragjike.
Postimi i plotë
Ka dorëzuar shpirtin në prehjen e përjetësisë, Gazment Kurmaku, një nga punonjësit tanë, një nga njerëzit e përkushtuar.
Pas një aksidenti fatal dhe një beteje disaditore ai nuk ka mundur t’ia dalë, nuk ka mundur të mbetet sërish me ne, për të ndërtuar ëndrrën e përbashkët.
Lamtumirë miku ynë!
Gaz tu prehtë shpirti të paqe!
Zoti e shpërbleftë shpirtin tënd në mbretrërinë e parajsës.
Do të na mungojë gjithmonë buzëqeshja juaj, zëri dhe njerëzorja juaj që kaq shumë dha përkushtim dhe mirësi.
Familjes së Gazit, të afërmve, miqve dhe kolegëve, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta.
Lutemi që Zoti u dhashtë forcë për të përballuar këtë ndarje të parakohshme me të dashurin e tyre.
Me shumë dhimbje dhe keqardhje i gjithë stafi i Rozafës!
